Nga Ajkuna Garo/
Në njërën anë të këtij vendi Bardhyl Kaloshi, një qytetar krejt i zakonshëm, prek një shtyllë ndriçimi në Durrës dhe bie i vdekur nga rryma. Një jetë që shuhet me një krismë të heshtur. Jo nga ndonjë fatkeqësi biblike, por nga një kabllo që s’duhej të kishte qenë aty. Pa shirit paralajmërues. Pa sinjal rreziku. Pa kujtues. Dhe mbi të gjitha, pa njeri që të thotë një “më fal”.
Në anën tjetër të Shqipërisë në Romë, Genari, djali i ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, martohet me ceremoni glamuroze që do ia kishin zili edhe Kardashianët. Jo thjesht me muzikë, verë dhe kostume të dizajnuara por me bekimin e vetë Papës. Po, Papa vetë! Ai që zakonisht njihet si simbol i mëshirës dhe i thjeshtësisë, këtë herë ishte pjesë e albumit të dasmës me rreth të artë.
Ndërsa njëri kaloi në përjetësi duke u djegur nga një shtyllë rrugësh, tjetri u përjetësua me selfie nën buzëqeshjen e Papa Leo 14 të Shenjtë. E nëse Bardhyli u kthye në hije mes kabllove të zhveshura, Genari shkëlqeu në dritat e Vatikanit.
Ja ku jemi!
Një vend ku një dorë që prek një shtyllë të vret, dhe një tjetër që shtrëngon dorën e Papës të çon në parajsë mediatike. Një vend ku nëse je “askushi”, të pret një vdekje banale. Nëse je “dikushi”, të pret një dasmë historike.
Askush s’e përmend Bardhylin. Askush s’i thotë një lutje. As prift, as hoxhë, as lagjja. Thjesht një trup i mbuluar me çarçaf e pastaj zhduket në mjegullën e harresës. Sepse Bardhyli nuk ishte bir i një zonje me “Z” të madhe. Nuk kishte akses në sallat e Vatikanit. As mik te Papa. Ai kishte veç nevojën për një rrugë të ndriçuar, dhe ja ku e çoi ajo dritë në varr.
E ndërkohë, në Shqipërinë tjetër, ku gjithçka është artifice, buzëqeshje dhe selfie me njerëz të shenjtë, të gjitha gjërat duken “të rregullta”. Bëhet fjalë për një dasmë që do t’i përlotte sytë edhe vetë Zotin me kostume të qepura në Milano, lule të sjella nga Holanda, e me gjasë dhe me makinë që të shpie drejt altarit me GPS të programuar drejt bekimit hyjnor.
E gjitha kjo, ndërkohë që në Shqipërinë reale, ajo poshtë llustrës dhe filtrave Instagram, njerëzit vazhdojnë të bien si mizat. Jo nga fati, por nga indiferenca. Jo nga Zoti, por nga mungesa e ndjeshmërisë njerëzore. Sepse këtu vlen kush je, jo çfarë të ndodh. Nëse je “i mirë”, Papa të bekon. Nëse je askushi, as Zoti nuk të kujton.
Çfarë ironie! Dritat që ndriçojnë dasmat i kemi, por jo dritat që ndriçojnë rrugët. Ceremonitë që impresionojnë Papën i dimë, por s’kemi një lutje për një qytetar që u dogj në heshtje.
Një vend ku tragjedia dhe komedia ndodhin njëkohësisht. Ku një vdekje e heshtur dhe një dasmë me fishekzjarrë ndajnë të njëjtin ajër. Ku një baba ikën nga kjo botë për një kabllo të kalbur, dhe një djalë martohet me bekim qiellor nga Papa vetë.
Një vend ku një kabllo vret një jetë… dhe një tjetër kabllo, ajo e kamerës, bën të pavdekshëm një dasmor.