Tucker Carlson në podkastin e tij ka folur me të ftuarin e tij, Shawn Ryan për një histori që duket e dalë nga faqet e një romani spiunazhi, por nuk është trillim.
Bëhet fjalë për Blerim Skoron, një njeri që CIA e rekrutoi menjëherë pas 11 Shtatorit, për ta futur në mesin e terroristëve dhe për të krijuar një rrjet që do të shtrihej nga Maqedonia deri në Pakistan, Afganistan, Siri, Irak, Iran dhe madje edhe në Rusi.
Ai pretendon se ka qenë një hap larg Bin Ladenit, i ka mbijetuar një atentati dhe ka parë nga afër operacione të errëta që përfshijnë edhe uraniumin rus.
Por çfarë ndodh kur një njeri me këtë histori të ulet përballë kamerës dhe flet?
A është ky një dëshmitar i së vërtetës, apo një instrument i narrativave që disa duan t’i shtyjnë për ta çuar botën drejt një lufte të re?
Kjo është një pjesë e intervistës:
Tucker Carlson: A ke pasur ndonjëherë një të ftuar ku ke menduar, “Ky person mund të jetë duke vepruar në emër të ndonjë agjencie inteligjence”?
Shawn Ryan: Kam pasur disa. Sapo bëra një intervistë shumë të mirë me njëfarë Blerim Skoro, i cili ishte një agjent. Ai u rekrutua në burg nga CIA menjëherë pas 11 Shtatorit për t’u bërë mik i të gjithë terroristët që ishin aty. Dhe kur doli nga burgu, agjencia u lidh sërish me të dhe i tha: “Do ta përdorësh këtë rrjet. Mbulimi yt do të jetë se po ndërton një qelizë të al-Kaedës në Maqedoni.” Dhe kështu ai ngriti bazën në Maqedoni, dhe pastaj shkonte në Pakistan, në Afganistan, në Siri, Irak, Iran, në të gjitha këto vende, edhe në Rusi. Ai nuk u takua drejtpërdrejt me Bin Ladenin, por ishte një hap larg.
Tucker Carlson: Një punë shumë e rrezikshme.
Shawn Ryan: Pa dyshim. Pastaj pati një përpjekje për ta vrarë. CIA i bëri dalje. Pastaj filloi të më tregonte për nxjerrjen e uraniumit nga Rusia. E pyeta: “Çfarë do të bënin me të?” Dhe ai tha se donin ta fusnin në SHBA dhe se do të vriste gjysmë milioni njerëz. Por kjo nuk përkonte me intervistën. Sepse po flisnim për gjëra të tjera.
Tucker Carlson: S’e besoj fare këtë.
Shawn Ryan: Pastaj, papritmas, arrijmë tek Rusia. Dhe e pyeta menjëherë. I thashë: “E di çfarë më shkon në mendje? Kur ka qenë hera e fundit që ke pasur kontakt me CIA-n?”
Tucker Carlson: Këtë po mendoja edhe unë.
Blerim Skoro: Në janar të vitit 2022. Me 6 ose 7 janar.”
Shawn Ryan: E dinte datën ekzakte dhe u acaruar. I thashë: “E di çfarë më shkon në mendje? Po sikur dikush të të kontaktonte, duke e ditur që do vije në këtë emision për të thënë që ti po sillje uranium për al-Kaedën për ta futur në vendin tonë e për të na hedhur në erë? Shumë njerëz duan të na shohin në luftë me Rusinë.”
Blerim Skoro: Shon, nëse është kështu, ti e pe historinë. Më pe mua. S’e fsheh atë që mund të bëj.
Shawn Ryan: Mendova, “Dreq, e humba mundësinë ta fus këtë në intervistë.” Dhe më erdhi menjëherë një ide.
Po sikur të të kenë kontaktuar që të m’i thuash këto në këtë emision?”
Shawn Ryan: Për të krijuar një narrativë?
Blerim Skoro: Kurrë. Nuk e kisha planifikuar kurrë të vija në emisionin tënd.
Shawn Ryan: Ka shumë njerëz në pozicione të larta që na duan në luftë.
Doja ta thosha me zë të lartë, sepse nëse ata po shikojnë, dhe me shumë gjasë po na shohin, atëherë ata e dinë që unë e di që jam shënjestër.
Blerim Skoro është një kosovar me një të kaluar të ngatërruar mes krimit të organizuar, burgut në
SHBA, pretendimeve për bashkëpunim me CIA-në dhe përpjekjeve të dështuara për të fituar azil politik.
E kaluara kriminale
Në fillim të viteve ’90 largohet nga Kosova dhe shkon në SHBA, ku përfshihet në trafik droge e pastrim parash. Arrestohet në vitin 2000 dhe dënohet me 84 muaj burg, por dënimi i ulet pasi bashkëpunon me autoritetet amerikane.
Pretendimet për CIA-në
Skoro thotë se gjatë vuajtjes së dënimit u rekrutua nga CIA për t’u infiltruar në grupe islamike, me premtimin për lirimin e parakohshëm dhe leje qëndrimi të përhershme. Sipas tij, marrëveshja u respektua vetëm pjesërisht: u lirua para kohe, por u dëbua në Kosovë.
Kërcënimet nga xhihadistët
Në vitin 2010 ai pretendon se militantë nga Kosova tentuan ta vrisnin pasi e kishin zbuluar si spiun. Pas kësaj u largua në Kanada ku kërkoi azil, por kërkesa iu refuzua.
Problemet e fundit
Pas refuzimit në Kanada, ai shkoi sërish në SHBA. Në shkurt 2025 u arrestua në metronë e Brooklyn-it, pasi përdori kartelën e vajzës së tij dhe nuk kishte dokumente të rregullta qëndrimi. Aktualisht pret vendimin e gjykatës nëse do të dëbohet përsëri në Kosovë.
Strategjia e fundit
Përmes intervistës në The New York Times, ai po mundohet të forcojë versionin e tij si ish-spiun i infiltruar i CIA-s, duke pretenduar se jeta e tij është ende në rrezik nga ISIS.