Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, prezantoi masat e reja për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes së nxënësve në institucionet arsimore. Sipas saj, këtë vit do të hyjnë në fuqi protokollet dhe modulet e përmirësuara të punës për oficerët e sigurisë, psikologët dhe punonjësit socialë, të cilat janë hartuar sipas standardeve të përditësuara dhe do të mbështeten nga mjete digjitale, si platforma elektronike SMIP, për menaxhimin e rasteve dhe informacionit në kohë reale.

Në qendër të Planit të Sigurisë në Shkolla është rritja e numrit të oficerëve të sigurisë dhe forcimi i shërbimit psiko-social në sistemin parauniversitar. Këtë vit të ri shkollor do të ketë më shumë se 390 oficerë sigurie në detyrë. Është hapur menjëherë rekrutimi i fazës së pare, ku mbi 60 oficerë do të jenë në shkolla më 8 shtator 2025, ndërsa pjesa tjetër brenda javës së parë të tetorit, duke e çuar totalin në rreth 400. Trajnimet zhvillohen nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë, ndërsa rritja e mëtejshme e numrit të oficerëve do të vijojë duke nisur nga viti i ardhshëm.

Ministrja nënvizoi se edhe raporti i punonjësve socialë dhe psikologëve për nxënësit është përmirësuar ndjeshëm, duke fuqizuar praninë e tyre në shkolla dhe lidhjen me mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, si dhe me njësitë e emergjencës dhe shërbimet sociale në territor.

“Për ne është e rëndësishme që figura e oficerit të sigurisë, psikologut dhe punonjësit social në shkollë të fuqizohet edhe më shumë. Këtë vit do të kemi rreth 400 oficerë sigurie në shkolla, dhe do të vijojmë ta rrisim këtë numër, duke forcuar mekanizmat parandalues ndaj çdo forme dhune dhe bullizmi, për të garantuar mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.