Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministre me Inteligjencë Artificiale në mandatin e ri qeverisës, “Rama 4”.
Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, tashmë i ka kaluar kufijtë e vendit tonë dhe është bërë temë diskutimi në mbarë botën dhe në mediat kryesore.
Së fundmi kreu i qeverisë Edi Rama ishte i ftuar në një intervistë në “Times Radio”, ku ndër të tjera u pyet pikërisht për ministren e re të kabinetit të tij.
“Së pari dua të di a jeni ju apo një version I juaji me AI? Kryeministër përse ky vendim për një ministre me Inteligjencë Artificiale”, e pyeti gazetari me humor.
“Së pari, ju nuk mund ta dini nëse jam unë apo versioni im artificial (qesh)…. por për sa kohë që po flet me ju kryeministri i Shqipërisë nga kanali zyrtar, atëherë është përgjegjësia ime.
Ne kemi vendosur të marrim këtë hap të madh sepse duam që të shtyjmë me më shumë shpejtësi reformat tona, dhe nuk është e nevojshme vetëm për reformat në termat digjitale, por në termat e modernizimit dhe siç gjithnjë e kam thënë, teknologjia e re dhe tani AI janë një bekim për vende si ne që vijnë nga një rrugë e gjatë.
Në kohën e progresit linear, do të kishim pasur kohë edhe më të vështira që të rifitonim kohën e humbur përgjatë dekadave dhe shekujve”, tha Rama.
I pyetur nëse Diella paraqet rrezik dhe sesi do të funksionojë ajo, Rama u shpreh: Diella është dielli që asnjëherë nuk perëndon, ajo nuk fle kurrë, s’ka nevojë të paguhet kështu që nuk ka interesa private, nuk ka kushërinj, dhe kushërinjtë në Shqipëri janë një problem i madh… po ashtu nuk mund të ndryshojë mendje dhe as nuk i intereson nëse do ta pushonin.
Përtej shakasë, ajo ka një forcë drejtuese të jashtëzakonshme, dhe është shumë e vështirë për një ministër jo AI që të çojë përpara një reformë në mënyrë kaq të mirë dhe të shpejtë sa një ministër AI”, u shpreh kreu i qeverisë.
Më tej ai i pohoi gazetarit se inteligjenca artificiale po e ndihmon Shqipërinë që të futet në Bashkimin Europian, duke i sjell si shembullin sesi po bëhet përkthimi në kohë rekord i grupkapitujve.