Pas mbylljes së hetimeve nga SPAK dhe dërgimit të çështjes në gjykatë, avokatët mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, reaguan me një deklaratë të fortë për shtyp, ku e quajnë procesin “të montuar” dhe “të mbushur me shkelje të rënda procedurale”.

Sipas mbrojtjes ligjore, Veliaj mohon kategorikisht të gjitha akuzat që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe lidhje të mundshme me favore të paligjshme ndaj subjekteve private.

“Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet ndonjë lidhje mes veprimtarisë së z. Veliaj si Kryetar i Bashkisë dhe ndonjë përfitimi të paligjshëm për ndonjë subjekt. Nuk ka asnjë provë, fakt apo dokument që ta mbështesë këtë pretendim”, thuhet në deklaratë.

Avokatët akuzojnë SPAK-un për “shpërfillje të normave bazë të drejtësisë penale” dhe për ushtrim presioni përmes deklaratave publike, të cilat sipas tyre cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë.

“Deklarata e SPAK duket e ndërtuar për të ushtruar ndikim dhe paragjykim, si në opinionin publik ashtu edhe në instancat gjyqësore. Kjo është në vazhdën e një hetimi me shkelje sistematike”, theksojnë avokatët.

Në reagim, ata listojnë një sërë shkeljesh që, sipas tyre, karakterizuan hetimin, përfshirë:

Nisje e procedimit mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar;
Hetime të kryera për muaj të tërë pa autorizim ligjor;
Përdorim i materialeve të marra nga korrespondenca private pa leje të gjykatës;
Marrje të deklarimeve nën presion;
Përfshirje të personave jashtë kompetencës ligjore si prokurorë;
Shkelje të afateve hetimore;
Mohim i së drejtës për mbrojtje dhe për t’u kundërshtuar hetimi.

Mbrojtja shprehet e shqetësuar edhe për masën e sigurisë të vendosur ndaj Veliajt, të cilën e konsideron “të jashtëzakonshme dhe disproporcionale”, duke theksuar se ai vijon të jetë në detyrë si kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë me mbi 160 mijë vota.

“Do të çmontojmë çdo pretendim të ngritur në këtë proces të montuar. Jo vetëm për të mbrojtur z. Veliaj, por për të ruajtur besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në rendin kushtetues,” përfundon deklarata e avokatëve.

Erion Veliaj është një nga zyrtarët më të lartë që përballet me hetim nga SPAK, në një kohë kur institucioni i posaçëm ka intensifikuar përpjekjet për të ndjekur rastet e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin në nivele të larta të administratës.