SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës këtë të mërkurë, Erion Isai, i cili dyshohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Isai është marrë në pyetje dy herë nga prokurorët e posaçëm.

Përveç tij, të pandehur janë marrë edhe 6 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kolonjës, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në shkeljet e pretenduara.

Hetimet janë fokusuar në procedurat e ndjekura gjatë dhënies së disa tenderëve publikë, ku dyshohet se ka pasur favorizime dhe parregullsi.

SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar në vijim lidhur me akuzat konkrete dhe fazën ku ndodhet çështja.