Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë një tjetër ankim në GJKKO. Kësaj radhe, Veliaj kërkon nga GJKKO që t’i lejohet nga SPAK takimi me 4 avokatët e huaj, Ben Brandon, Celia Marr, Daniel Fetterman e Joshua Roberts, të cilët do të përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të drejtave të Njeriut në Strasburg.
Momentalisht mbrojtja e Veliajt realizohet nga avokatët Ermir Beta dhe Artur Selmani. Por, Veliaj ka kërkuar dhe përfshirjen e avokatëve ndërkombëtarë me arsyetimin se ata do të përgatisin mbrojtjen për dërgimin e çështjes për në Gjykatën e Strasburgut.
Më përpara, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion e ka rrëzuar këtë kërkesë të Veliajt me argumentimin se ligjin lejon vetëm dy avokatë dhe nëse një avokat i huaj duhet ta mbrojë në gjykatë, fillimisht duhet të jetë i regjistruar në një yrë ligjore në Shqipëri dhe të jetë nga një prej vendeve të BE-së.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet për veprat penale korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në burg. Në dosje me Veliajn po hetohet dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, biznesmenë e eksponentë të tjerë politikë.
“Përveç procesit penal vendas, çështja ka marrë dimension ndërkombëtar për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave themelore të garantuara nga KEDNJ, përfshirë nenet 5, 6 dhe 8. Në këtë kuadër janë angazhuar avokatët Ben Brandon, Celia Marr, Daniel Fetterman dhe Joshua Roberts për procedurën para GJEDN”, thuhet në ankimin e Veliajt.