Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali iu bashkua një mëngjesi pune të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani në New York.

Spiropali u takua me Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola, e cila përgëzoi Shqipërinë për rrugëtimin e saj mbresëlënës drejt integrimit europian.

Në takim morën pjesë edhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit dhe vendeve europiane që mbështesin zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Ministres, në këtë takim, miqtë europianë rikonfirmuan mbështetjen ndaj ambicies tonë për anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade.

“Shqipëria ka mbetur e përkushtuar fuqimisht ndaj agjendës së saj të reformave – forcimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e sundimit të ligjit, ndërtimin e një ekonomie elastike dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Këto përpjekje gëzojnë konsensus të gjerë shoqëror, gjë që reflektohet në faktin se Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të lartë të mbështetjes publike për anëtarësimin në BE në rajonin tonë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me vlerat e përbashkëta, por edhe me një bindje të thellë se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian”, tha Spiropali në mëngjesin e punës.