Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi të shtunën tre nga pesë ndeshjet e raundit të tretë. Tri pikë për Egnatian dhe Vllazninë, ndërsa Tirana dhe Flamurtari barazuan 1-1 në ‘Selman Stërmasi’.
Në “Loro Boriçi” të Shkodrës ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në Superligë foli për Vllazninë. Të besuarit e Edi Martinit mposhtën 4-1 Partizanin, me fundin e sfidës që ishte dramatik.
Ishte Partizani që kaloi në epërsi pas 26 minutave lojë me Vusal Isganadarli, para se Bekim Balaj të barazonte dhe t’i dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes në ekuilibër. Në fraksionin e dytë ndeshja prodhoi shumë raste, por duhej fundi i saj që tifozët të përjetonin emocione të vërteta. Një penallti e kthyer në gol nga kapiteni Balaj i dha epërsinë shkodranëve në shtesën e parë, ndërsa Partizani u hodh në sulm në kërkim të barazimit.
Hapësirat e lënë pas bënë që “Demat” të pësonin edhe dy gola të tjerë nga Esin Hakaj dhe Charles Bismarck. ‘Shthurje’ totale te Partizani, që pëson humbjen e parë këtë sezon. Vllaznia me gjashtë pikë ngjitet përkohësisht në vendin e parë.
Raundi i tretë i Superligës mbyllet sot me dy takimet e radhës në orën 19:00. AF Elbasani pret Dinamon, ndërsa në ‘Niko Dovana’ luhet Teuta – Vora.
Superliga, raundi i tretë:
E shtunë, 13 shtator 2025
Bylis 0-1 Egnatia
Tirana 1-1 Flamurtari
Vllaznia 4-1 Partizani
E diel, 14 shtator 2025 – 19:00
AF Elbasani – Dinamo
Teuta – Vora