Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, u prit në një takim pune dhe miqësor në Hagë nga Drejtoresha Ekzekutive e Europol-it, znj. Catherine De Bolle.
Gjatë takimit, De Bolle vlerësoi angazhimin dhe vendosmërinë e Policisë shqiptare në operacionet e zhvilluara në kuadër të platformës EMPACT, duke theksuar profesionalizmin dhe besueshmërinë e saj në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo garantoi mbështetje të mëtejshme nga Europol, si në fushën operative, ashtu edhe në asistencën teknike dhe shkëmbimin e informacionit.
Nga ana e tij, Drejtori Proda ritheksoi përkushtimin e Policisë së Shtetit për të thelluar bashkëpunimin me Europol-in dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese europiane. “Policia shqiptare është plotësisht e angazhuar për të forcuar koordinimin operativ dhe hetimor me partnerët ndërkombëtarë,” u shpreh ai.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe sfidat e përbashkëta në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe krimit kibernetik. U theksua nevoja për një harmonizim të strukturave të Policisë shqiptare me ato të vendeve anëtare të BE-së, si dhe për përdorimin më të gjerë të produkteve analitike të Europol, në funksion të rritjes së kapaciteteve hetimore.
Drejtori Proda ishte i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda e ftoi zyrtarisht Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, znj. Catherine De Bolle, për një vizitë në Shqipëri dhe në ambientet e Policisë së Shtetit.