Rusia përdor një gamë të gjerë dronësh, ku ata më të rëndësishmit dhe për të cilët duhet të përqendrohemi për të kuptuar çfarë po ndodh në hapësirat ajrore europiane, përveçse në Ukrainë, janë Geran-2.
Bëhet fjalë për pajisje pa pilot në modelin e Shahed-136, dron kamikaz ose dron sulmues njëkahësh i projektuar në Iran. Dronët Geran-2 prodhohen në Rusi falë transferimit të teknologjisë midis Teheranit dhe Moskës gjatë konfliktit ukrainas. Nga incidentet më të fundit të depërtimit në qiellin e Kontinentit të Vjetër (Evropës), veçanërisht janë përfshirë variantet e dronëve Gerbera, një variant i Geran-2.
Gerbera është një dron ekonomik me rreze të gjatë veprimi që, sipas inteligjencës së Kievit, është i ndërtuar me materiale si kompensatë dhe shkumë dhe montuar në impiantin e madh rus në Yelabuga. Ka një hapësirë krahësh 2.5 metra, peshë maksimale 18 kilogramë, shpejtësi maksimale 160 km/orë, autonomi deri në 600 km dhe një motor të vogël të pasmë që rreh një helikë prej druri.
Analistët perëndimorë thonë se Rusia e përdor Gerbera-n si një mënyrë ekonomike për të ngopur mbrojtjet ajrore ukrainase. Ai mund të shfrytëzohet si karrem, duke tërhequr vëmendjen e mbrojtjes ajrore larg dronëve më të shtrenjtë dhe të pajisur me ngarkesa shpërthyese më të fuqishme.
Analistët theksojnë se që prej futjes së tij janë shfaqur versione të tjera të Gerbera-s me ngarkesa të lehta ose me pajisje për zbulim, ato të zeza janë kamikaze, ato me shtresë “kamuflazhi” janë zbulimi, dhe pastaj janë “karremet“, të cilat ndahen më tej në dy lloje.
Gerbera-t kamikazë mund të armatosen me ngarkesa të vogla që përmbajnë deri në 5 kilogramë eksploziv. Kjo sasi është ndjeshëm më e vogël se koka standarde luftarake 50 kg e Shahed-it, ose varianti i tij më i ri prej 90 kg.
Ato të përdorura në Poloni ishin të pajisura me rezervuarë shtesë, të ngjashëm me qeset e gjakut të përdorura për transfuzione, të cilat janë të bashkangjitura në dron me modifikime të përshtatshme. Ato u lëshuan nga baza Shatalovo në Rusi, ku disa muaj më parë ishin ndërtuar rampa speciale, por nuk u përdorën kurrë.
Megjithatë, ato që mbërritën në Kopenhagen, sipas Mirko Campochiari-t, themeluesi i Parabellum, u lëshuan nga anije (të maskuara, si anije peshkimi). Dhe ato u pilotuan nga operatorë jashtëzakonisht të aftë që arritën ta maskonin mirë sinjalin. Elementi i fundit i sugjeruar nga eksperti Campochiari është se kodet që dronët Gerbera kanë në bisht, “BLBl” në alfabetin cirilik, janë kodet e dronëve që rusët ua transferojnë bjellorusëve, sipas taktikës së “mohimit të besueshëm”: nëse diçka shkon keq, është e lehtë të hidhet faji te tjetri.