Policia ka arrestuar në flagrancë administratorin 35-vjeçar të një lokali në kryeqytet dhe 3 persona të tjerë, teksa vinin baste online. Blutë bëjnë me dije se në pranga ra edhe pronari 28vjeçar i lokalit, ku viheshin bastet, me vendodhje në zonën e Xhamllikut. Përveç arrestimeve, policia ka sekuestruar edhe 6 celularë të cilët përdoreshin për vënien e basteve online.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.

Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë”,- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.