Më shumë se 700 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur nga një tërmet me magnitudë 6.0 që goditi rajonin lindor të Afganistanit të dielën, sipas mediave shtetërore.

Ekipet e shpëtimit janë mobilizuar në disa distrikte të zonës malore pranë kufirit me Pakistanin, por ka frikë se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë. Përpjekjet për të arritur tek komunitetet më të izoluara janë vështirësuar nga rrëshqitjet e dheut, raportoi agjencia shtetërore Bakhtar News Agency (BNA) e talebanëve.

Tërmeti ndodhi pak para mesnatës, rreth 27 kilometra në verilindje të qytetit Jalalabad (me rreth 200 mijë banorë) në provincën Nangarhar, në një thellësi të cekët prej vetëm 8 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). Të hënën, zyrtarët lokalë thanë se të paktën 650 persona ishin vrarë dhe mbi 1000 të tjerë ishin plagosur në disa distrikte të provincës verilindore malore Kunar, raportoi BNA.

“Numri i viktimave dhe të plagosurve është i lartë, por duke qenë se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona janë ende në terren,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, në një deklaratë për Reuters.

Sipas USGS, gati gjysmë milioni njerëz e ndjenë lëkundjen si të fortë ose shumë të fortë, gjë që mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në ndërtesa të ndërtuara dobët.

Ahmad Zameer, 41 vjeç, banor në Kabul, i tha CNN se tërmeti ishte i fortë dhe tronditi lagjen e tij, më shumë se 160 kilometra larg epiqendrës. Ai shtoi se të gjithë banorët e pallateve përreth dolën me nxitim në rrugë nga frika se mos mbeteshin të bllokuar brenda. “Fatkeqësisht, tërmeti i sonte ka shkaktuar viktima dhe dëme materiale në disa nga provincat tona lindore,” shkroi në X zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

“Aktualisht, zyrtarët lokalë dhe banorët po bëjnë çdo përpjekje për të shpëtuar personat e prekur. Ekipe mbështetëse nga kryeqyteti dhe provincat fqinje janë gjithashtu në rrugë. Të gjitha burimet e mundshme do të përdoren për shpëtim dhe ndihmë,” shtoi ai.

Lëkundjet u ndjenë edhe në disa qytete të provincave Khyber Pakhtunkhwa dhe Punjab në Pakistanin fqinj, sipas Departamentit Meteorologjik të Pakistanit. Rajoni është goditur nga të paktën pesë pasgoditje, më e forta me magnitudë 5.2, në orët pas tërmetit kryesor, sipas USGS.

Sistemi PAGER i USGS lëshoi një alarm portokalli, i cili parashikon humbje njerëzore dhe ekonomike pas tërmeteve.

“Ka gjasa për viktima të shumta dhe fatkeqësia mund të jetë e përhapur. Ngjarjet e kaluara me këtë nivel alarmi kanë kërkuar përgjigje në shkallë rajonale ose kombëtare,” theksohet në raport.

Afganistani ka një histori të gjatë tërmetesh, shumë prej të cilëve ndodhin në rajonin malor Hindu Kush që kufizohet me Pakistanin. Në tetor 2023, mbi 2 mijë njerëz humbën jetën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 6.3 që goditi Afganistanin perëndimor – një nga tërmetet më vdekjeprurëse në vitet e fundit në vend.