Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e së hënës në veriperëndim të Meksikës, ku një tren është përplasur me një autobus me dy kate, duke lënë të paktën 8 persona të vdekur dhe 45 të plagosur.

Ngjarja ndodhi në qytetin Atlacomulco, në një zonë industriale me depo dhe fabrika të mëdha. Agjencia e Mbrojtjes Civile e shtetit të Meksikës njoftoi se ekipet e emergjencës vijojnë punën në vendin e ngjarjes, për të shpëtuar të mbijetuarit dhe për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar video që tregojnë momentin kur treni me shpejtësi përplaset me autobusin, i cili ndodhej i bllokuar në një kryqëzim pa sinjalistikë apo barriera sigurie.

Në video shihet autobusi duke lëvizur ngadalë në një trafik të dendur, ndërsa treni shfaqet papritur dhe e godet në mes, duke e hedhur jashtë shinave.

Një tjetër video pas aksidentit tregon autobusin e dëmtuar rëndë, me çatinë e çarë dhe pasagjerë të bllokuar, ndërsa treni kishte ndaluar pak më tutje.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi shkaqet, por mungesa e sinjalistikës dhe prania e trafikut të dendur në zonë, duket se kanë qenë faktorë të rëndësishëm që çuan në tragjedi.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar ekipet e ndërhyrjes.