Tirana do të presë të dielën, 21 shtator, “Triathlonin”, aktivitetin sportiv që bën bashkë tre disiplina, në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap. Qindra sportistë profesionistë, por jo vetëm, do të garojnë përgjatë një itinerari të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës.
Gara nis te Parku Helen, pranë liqenit të Farkës, dhe do të shtrihet më pas në disa akse të ndryshme rrugore. Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit kanë ndërmarrë një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të garës.
Ndër masat kryesore është parashikuar edhe kufizimi i qarkullimit në akset ku do të zhvillohet gara, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit të sotëm, deri në orën 13:00.
Konkretisht, do të bllokohet lëvizja në rrugët pranë liqenit të Farkës, segmentet në zonën e Shkozës, bulevardi “Zhan D’Ark”, “Gjergj Fishta”, bulevardi “Bajram Curri”, deri te Pallati me Shigjeta.
Rrugët që bllokohen:
Rruga e “Tuneleve” (nga kryqëzimi i rrugës “Tuneleve” me rrugën “Daxhi” deri te kryqëzimi me rrugën “Panorama e Liqenit”)
Rruga “Daxhi” (nga kryqëzimi me rrugën “Shaqir Palushi”, deri te kryqëzimi i rrugës “Daxhi” me rrugën e “Vrapëve”)
Rruga “Diga e Liqenit” (nga kryqëzimi “Panorama e Liqenit” me rrugën “Diga e Liqenit”, deri te kryqëzimi i rrugës “Daxhi” me rrugën “Diga e Liqenit”)
Rruga “Panorama e Liqenit” (nga kryqëzimi i rrugës “Tuneleve” me rrugën “Panorama e Liqenit”, deri te kryqëzimi i rrugës “Panorama e Liqenit” me rrugën “Diga e Liqenit”)
Rruga interurbane kryesore (TEG-Ura Shkozë)
Bulevardi “Zhan D’Ark”
Bulevardi “Gjergj Fishta”
Bulevardi “Bajram Curri” (segmenti nga Ura e Shkozës deri te Pallati me Shigjeta)
Plani i masave përfshin edhe devijimin e lëvizjes së linjave urbane të transportit publik në kryeqytet. Ndërsa tre linjat “Ish Kombinati i Autotraktorëve-Qendër”, “Materniteti i Ri-Qendër-Ish Fusha e Aviacionit” dhe “Unaza” do të pezullohen përkohësisht deri në përfundimin e garës.
Devijimi i linjave urbane
“Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias” dhe “Kodra e Diellit 2-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit-Allias” devijojnë: njëra në drejtim të Sheshit “Wilson”, tjetra në Qendër.
“TEG-Sauk i Vjetër-Kopshti Zoologjik-Ish Stacioni i Trenit” devijon te Sheshi “Wilson”.
“Ish Kombinati i Autotraktorëve-Qendër” pezullohet përkohësisht.
“Ish Stacioni i Trenit-Qendër-Sauk i Ri/Sauk i Vjetër/Sanatorium-TEG” devijon te rrethrrotullimi i “Ekonomikut”.
Linja nr. “Qyteti Studenti-Jordan Misja” devijon në Qendër.
“Materniteti i Ri-Qendër-Ish Fusha e Aviacionit” pezullohet përkohësisht.
“Tirana e Re” devijon te rrethrrotullimi i “Fabrikës së Bukës” dhe në Qendër.
“Unaza” pezullohet përkohësisht.
Kufizimi i qarkullimit nuk do të prekë mjetet e emergjencës dhe të Policisë së Shtetit, të cilat do të vazhdojnë normalisht lëvizjen në të gjithë itinerarët ku zhvillohet gara.