Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se shpreson që Turqia të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia, gjatë një takimi dypalësh me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
“Do të doja që ai të ndalonte së bleri naftë nga Rusia, ndërkohë që Rusia vazhdon agresionin e saj kundër Ukrainës, dhe ata kanë qenë në luftë,” tha Trump nga Zyra Ovale. “Ata kanë humbur miliona jetë tashmë, dhe për çfarë, e dini, për çfarë? E turpshme.”
Trump vazhdoi duke lavdëruar presidentin turk dhe fuqinë ushtarake që ai ka ndërtuar.
“Është një nder ta kemi këtu në Shtëpinë e Bardhë,” tha presidenti amerikan. “Do të bëjmë disa marrëveshje tregtare shumë të mira për të dy vendet. Bëjmë shumë biznes me Turqinë. Ata prodhojnë produkte të shkëlqyera. Produkte të bukura, me cilësi të lartë – prodhues vërtet të mrekullueshëm – dhe ne blejmë shumë prej tyre, dhe ata blejnë shumë nga ne.”
Erdoğan nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të Trump-it për Rusinë, por tha se mezi pret të diskutojë marrëdhëniet turko-amerikane.
Trump shtoi se “ata e respektojnë vërtet Erdoğanin. Edhe unë e respektoj, dhe mendoj se ai mund të ketë një ndikim të madh, nëse dëshiron.”
“Aktualisht, ai është shumë neutral. I pëlqen të qëndrojë neutral. Edhe mua më pëlqen të jem neutral,” vazhdoi Trump. “Por ai është dikush që, nëse do të përfshihej, gjëja më e mirë që mund të bënte do të ishte të mos blinte naftë dhe gaz nga Rusia.”