Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, tha të martën se i çmon “përpjekjet dhe lidershipin” e Donald Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, pasi presidenti amerikan e siguroi mbështetjen e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, për propozimin amerikan për paqe.

Pas bisedimeve mes Trumpit dhe Netanyahut në Uashington të hënën, Shtëpia e Bardhë e publikoi një plan me 20 pika për Gazën.

Plani parashikon armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tërheqjen e Izraelit nga Gaza në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar.

Nuk është e qartë nëse Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian – do ta pranojë këtë marrëveshje.

“Unë përshëndes përpjekjet dhe lidershipin e presidentit amerikan Donald Trump, të cilat synojnë ndaljen e gjakderdhjes në Gazë dhe arritjen e një armëpushimi”, tha Erdogan, i cili javën e kaluar u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë pas gjashtë vjetësh.

Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces “me synimin për të vendosur paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët”, shkroi Erdogan në X.

Turqia ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të luftës dyvjeçare të Izraelit në Gazë, të cilën e quan “gjenocid”.

Ajo ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin, ka kërkuar veprime ndërkombëtare kundër Netanyahut dhe Qeverisë së tij, dhe ka bërë thirrje të përsëritura për një zgjidhje me dy shtete.

Gjatë pothuajse dy vjetëve luftë në Gazë, ofensiva izraelite ka vrarë mbi 65.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, ka shkaktuar uri ekstreme, ka shkatërruar pjesën më të madhe të ndërtesave dhe ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë, në shumë raste disa herë.

Lufta nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë./REL