Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare.

Profesori dhe intelektuali Përparim Kabo ka reaguar me një mesazh prekës, duke e cilësuar Anagnostin si “fanari i madh i detit të filmit”.

Ai thekson se me ndarjen nga jeta të tij është shuar një institucion i vërtetë i artit. “Të përulem me respekt për artin që fale”, shkruan Kabo në postimin e tij.

Postimi i profesorit Përparim Kabos:

U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulë kuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, ” Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë ineresante titulluar: ” Koburja nga Europa”. Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjine dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrall kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.

U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falenderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: ” Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do murmurisin me erën, ullinjtë do heshtin këtë vjeshtë. Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe su kthyhen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje Rozën, trendafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty, i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur!

Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqt!

MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!