Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Sarandë, ku një vajzë 15-vjeçare tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga ballkoni i katit të katërt të banesës së saj. E reja ndodhet ende në spital, ndërsa familja e saj është në gjendje të rënduar psikologjike. Nëna e adoleshentes ka rrëfyer momentin dramatik në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” në News24.

Sipas saj, gjithçka ndodhi papritur, në mes të një atmosfere festive, pasi familja po festonte ditëlindjen e djalit të vogël. Nëna thotë se ndodhej në një kat të lartë të pallatit, duke folur me mësuesen e djalit të saj, kur papritur dëgjoi një zhurmë të fuqishme.

Në vijim të rrëfimit, nëna zbuloi se vajza kishte shfaqur shqetësime ditët e fundit, të cilat lidhen me bullizmin dhe përgojimet që po përjetonte nga bashkëmoshatarë të saj. Ajo kishte përmendur disa emra të nxënësve që e ngacmonin dhe e ofendonin në mënyrë të rëndë.

Ajo shton se nuk kishte vënë re ndonjë shqetësim të madh te vajza atë ditë dhe se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash.

Nëna e 15-vjeçares që tentoi të vetëvritet:

Vajza ime ende nuk e ka lënë spitalin. Jam shumë e përkushtuar ndaj fëmijëve të mi, për ato punoj. Unë po flisja me mësuesen e djalit në pallat, në një kat të lartë dhe nuk e pashë vajzën të shqetësuar. Fola me mësuesen jo në sy të fëmijëve. Ishin në banesë gjithë familjarët. Sa kthej kurrizin, dëgjohet një zhurmë e madhe. Vajza bie nga ballkoni. Në shtëpi ishin të gjithë, kishte dy vëllezërit dhe babanë, po festonim ditëlindjen e djalit të vogël.