Me nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip prej 22 shtatorit, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend janë shpërndarë 280 mijë doza vaksinash, të cilat janë tashmë në dispozicion të qytetarëve.
Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.
Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit antigrip, kryeministri Edi Rama ndau sot apelin e disa të moshuarve për t’u vaksinuar.
“Të moshuarit ju ftojnë të vaksinoheni, për veten, për familjen, për jetën. Rezervoni datën dhe orën për veten dhe fëmijët nëpërmjet e-Albania”, u shpreh Rama.
Vaksina antigrip mbetet mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga viruset e gripit që qarkullojnë në stinën e vjeshtës.
Aktualisht ka filluar vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërsa janë njoftuar qytetarët, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që paraqesin rrezik në këtë periudhë. Gjithashtu, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka angazhuar edhe grupin e punës që do të kryejë vaksinimin në banesë.
Sipas udhëzimeve të MSHMS, vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.