Edhe pse ndodhet në qeli, kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur të mos e thyejë traditën e tij të përvitshme: një letër drejtuar nxënësve të Tiranës për fillimin e vitit të ri shkollor. Por këtë herë, mesazhi i Veliajt është më i ngarkuar emocionalisht dhe politikisht se kurrë: nga një anë, ai ndan dhimbjen personale që nuk mund të shoqërojë të birin në klasën e parë, nga ana tjetër, shfrytëzon momentin për të kërkuar ndjesë për dështimin e projektit të drekave falas në shkolla – një projekt që, siç shprehet ai, “u bllokua në mënyrë arbitrare”.

“Më është thyer zemra, por shpresa jo”

Në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se ky shtator është i veçantë për të, pasi djali i tij nis klasën e parë, ndërsa ai vetë ndodhet në paraburgim. “Edhe pse më është thyer zemra, pasi nuk mund ta shoqëroj në shkollë në ditën e parë, e di që edhe për shumë familje të tjera ka pasur sfida këtë vit”, shkruan ai.

Letra, e shkruar me tone emocionale, përpiqet të përziejë reflektimin personal me rolin publik që Veliaj ende pretendon ta mbajë, të paktën në ndërgjegje: “Prej dhjetë vitesh ju kam shkruar çdo shtator, për t’ju uruar sukses. Edhe këtë vit nuk doja të mungoja.”

Dreka që nuk u servir kurrë

Veliaj pranon për herë të parë publikisht se programi i drekave falas për nxënësit, i shumëpërfolur dhe i shpallur si një ndër iniciativat më sociale të Bashkisë së Tiranës, ka dështuar. “Ndihem i keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla – një ide që e kam dashur prej kohësh,” shkruan ai, duke lënë të kuptohet se ndërhyrja nga jashtë Bashkisë e bëri të pamundur realizimin.

Ai i cilëson këto ndërhyrje si “ndalim arbitrar të vullnetit të popullit për t’u qeverisur në bashki”, ndërsa premton se, kur të ketë mundësi, do ta rikuperojë projektin: “Përgjegjësia mbetet tek unë”.

Mesazhe për fëmijët, kunja për politikën

Në pjesën tjetër të letrës, Veliaj shpërndan tre këshilla për nxënësit, por në to lexohen mesazhe të koduara politike, thumbime për kundërshtarët dhe përpjekje për të ruajtur një profil publik.

1. Dija si pronë e vetme e sigurt – Veliaj i nxit fëmijët të mësojnë fort dhe të shmangin urrejtjen, duke përdorur një metaforë të qartë politike: “Bëhuni gjuetarë idesh, jo gjuetarë njerëzish. Zgjidhni të jeni luanë dhe jo hijena.”

2. Suksesi i tjetrit nuk është mëkat – Një mesazh kundër armiqësisë sociale dhe përçarjes: “Nëse një nga shokët merr 10, fiton olimpiadën apo bën një 3-pikësh, gëzohuni bashkë. Mos i gëzohuni rrëzimit të tjetrit.”

3. Teknologjia nuk zëvendëson familjen – Në një kohë të mbushur me rrjete sociale dhe AI, ai këshillon të rinjtë të mos harrojnë lidhjet njerëzore: “Nuk ka chatbot që zëvendëson prindërit, motrën e vëllain.”

Simbolikë mes emocioneve dhe retorikës

Mesazhi i Veliajt mbyllet me një fjali të fortë simbolike: “Kam parë shqiptarët e rinj plot mirësi, përulësi, dije, zell, të mençur e të dashur. Forca pra, për një vit tjetër të shkëlqyer!”

Ky është ndër të paktët mesazhe publike të Erion Veliajt që nga vendosja e tij në paraburgim. Nëse për disa ky është një gjest emocional i një politikani të pezulluar, për të tjerë është një përpjekje e qartë për të ruajtur ndikimin në opinion publik dhe për të qëndruar politikisht “i pranishëm”, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet.