E ka një engjëll mbrojtës. Për Mario Mitajn fati në karrierë quhet sërish Loran Blank, ndonëse bashkë me talentin dhe përgatitjen e tij.
Trajneri francez ka vënë sërish veton duke kundërshtuar largimin e planifikuar të mbrojtësit të kombëtares shqiptare.
Mediat në Arabinë Saudite shkruajnë se Blank u ka deklaruar qartë drejtuesve të klubit të Al Itihadit, që mbrojtësi 22-vjeçar është një nga lojtarët e rëndësishëm të planeve të tij.
Nën kritikat e ashpra të tifozëve pas eliminimit në gjysmëfinalen e Superkupës saudite përballë Al Nasrit të Kristiano Ronaldos, sheikët kanë përpiluar një plan me katër pika.
Njëra prej këtyre katër pikave është që Mitaj do të vazhdojë në ekip, ndryshe nga sa u mendua gjatë verës, dhe se ai do të jetë pjesë e 8 profesionistëve mbi moshë për të zëvendësuar mesfushorin Auar që do të largohet, ndërsa Al Itihad do të marrë një tjetër lojtar të huaj nën moshë për të plotësuar vendin e lënë bosh nga shqiptari.
Klubi do të largojë edhe mesfushorin brazilian Fabinjo, të ardhur disa vjet më parë nga Liverpuli.
Gazeta e Riadit, Ashark Al-Ausat, shkruan se Mitaj do të jetë pjesë e projektit të kampionëve të Arabisë Saudite për të luftuar për tituj edhe këtë sezon.
Edicionin e kaluar, mbrojtësi kuqezi luajti 23 ndeshje, duke shënuar një gol e shërbyer dy asistë, e duke qenë një nga më të mirët, ndërsa këtë vit ai ka qenë titullar në të dyja sfidat, në Superkupë, dhe në fitoren 5-2 në kampionat ndaj rivalit Al Okhud.