Situata në Nepal po përkeqësohet çdo ditë, teksa protestat e dhunshme kanë marrë përmasa të pashembullta. Pas djegies së godinave qeveritare dhe shtëpive të disa politikanëve, protestuesit kanë ushtruar dhunë edhe ndaj anëtarëve të qeverisë.
Një video që është bërë virale në rrjetet sociale tregon Ministrin e Financave duke ecur i zhveshur në një lumë, ndërsa pas tij një protestues e godet me kamzhik. Turma të grumbulluara në brigjet e lumit brohorasin, duke festuar aktin e dhunës.
Nepali është përfshirë nga trazira të ashpra pasi protestuesit sfiduan shtetrrethimin dhe pushtuan rrugët e qyteteve. Godina të rëndësishme si Parlamenti, Gjykata e Lartë dhe objekte të tjera shtetërore janë djegur. Sipas autoriteteve, deri tani janë konfirmuar të paktën 22 viktima dhe qindra të plagosur. Policia ka përdorur armë zjarri, ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa ushtria është dislokuar në kryeqytetin Kathmandu për të rivendosur rendin.
Shkak për shpërthimin e revoltës është bërë fillimisht bllokimi i rrjeteve sociale, por pas saj qëndron një pakënaqësi e thellë ndaj korrupsionit të përhapur dhe mungesës së mundësive ekonomike. Protestat, të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë e brezit “Gen Z”, konsiderohen si shpërthimi më i madh i dhunës politike në vend që nga shpallja e republikës në vitin 2008.
Në një zhvillim të fundit, ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Nepalit, Sushila Karki e vetmja grua që ka mbajtur ndonjëherë këtë postsirtat ka pranuar kërkesën e protestuesve për të udhëhequr një qeveri tranzitore. Në një intervistë për mediat, 73-vjeçarja theksoi se “të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për krizën që ka përfshirë vendin”.