Ushtria amerikane ka ndërmarrë një goditje ajrore në Karaibet Jugore ndaj një anijeje që, sipas autoriteteve amerikane, po transportonte drogë nga Venezuela. Lajmi u konfirmua nga Sekretari Marko Rubio, i cili theksoi se objektivi ishte pjesë e një organizate të shpallur si narkoterroriste.
“Sot ushtria amerikane kreu një sulm vdekjeprurës në Karaibet Jugore kundër një anijeje droge që ishte nisur nga Venezuela dhe që operohej nga një organizatë e shpallur si narkoterroriste,” shkroi Rubio në një postim në platformën X.
Incidenti u përmend gjithashtu nga Presidenti Donald Trump gjatë deklaratave të tij në Zyrën Ovale. Sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, në anije ndodheshin 11 anëtarë të kartelit famëkeq të drogës Tren de Aragua, një organizatë kriminale e njohur për aktivitetet e saj në Amerikën Latine.
Pentagoni publikoi edhe pamje nga momenti i goditjes, duke konfirmuar neutralizimin e objektivit.