Kryeministri Rama mori pjesë sot në punimet e Konferencës, “Shqipëria, Horizonti i ri” , u cila u mbajt në Vjenë, Austri dedikuar promovimit të Shqipërisë, si një destinacion kryesor për investime strategjike në sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia, duke nxitur partneritete afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Në konferencën e organizuar nga Raiffeisen Bank International dhe Raiffeisen Bank Shqipëri, në bashkëpunim me Korporatën Shqiptare të Investimeve, u diskutua gjerësisht në disa panele paralele mbi “Zhvillimet makroekonomike dhe perspektivat e Shqipërisë”; Shqipëria: Një Qendër Rritëse e Investimeve (Lehtësimi i Bërjes së Biznesit dhe Klima për Investitorët); (Potenciali i përgjithshëm i Shqipërisë në sektorët kryesorë), etj.

Kryeministri Edi Rama iu adresua eventit në nisje të tij, pas fjalës së mirëseardhjes, e cila u mbajt nga Johann Strobl, Drejtor Ekzekutiv (CEO), RBI dhe Valerie Brunner, Anëtare e Bordit të Bankës Korporative dhe të Investimeve, RBI.

Më pas, një dialog me pyetje-përgjigje, moderuar nga z. Christian Wehrschütz dhe me pjesëmarrjen e audiencës, – vijoi agjendën e punimeve.

Kryeministri iu përgjigj interesimit të sipërmarrësve të ardhur nga më shumë se 25 vende, mbi fushat potenciale që Shqipëria ofron për investime madhore, një ndër të cilat, energjia, ku kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në funksionimin dhe zhvillimin e sektorit.

“Energjia ka qenë një prej problemeve më të mëdha me të cilat na duhet të merreshim”. – u shpreh Kryeministri, teksa theksoi se “tashmë jemi në një pozitë krejt ndryshe. Kemi shumë burime të reja, të cilat janë vënë në funksion apo do të vihen në funksionim. Më shumë 10% të energjisë sonë tani prodhohet nga energjia diellore. Synimi ynë është ta çojmë deri në afro 30%. Kemi shumë besim, jemi shumë bindur që do të arrijmë sovranitet të plotë përpara 2030-ës, çfarë do të thotë që do të kemi, do të jemi të aftë prodhojmë të gjithë energjinë që na duhet gjatë gjithë vitit, pa nevojën për të importuar, çka nuk është kështu sot. Po investojmë në energji diellore, në atë të erës dhe po investojmë po kështu edhe në një teknologji të re së bashku me Statkraftin, që është sistemi i hidrovor apo pompave të sistemit ekzistues të energjisë hidrike.” – informoi Kryeministri.

Ndërsa interesimit të investitorëve turq për investime në infrastrukturë, Kryeministri iu përgjigj se aktualisht në Shqipëri janë duke u realizuar vepra të rëndësishme infrastrukturore.

“Po bëjmë disa punë të mëdha, vepra të mëdha në infrastrukturën rrugore, të cilat lidhen me interesin dhe kapacitetin e sektorit privat që të përfshihet dhe të mbështetet tek rrugët me pagesë. Ideja është që për momentin po hartojmë, po zhvillojmë një sërë projektesh, të tjera do të pasojnë dhe mund të jetë me interes që t’i eksplorojmë këto mundësi. Ky është një aspekt i infrastrukturës ku mund të shihni mundësitë, pastaj janë dhe hekurudhat, pastaj sigurisht energjia. Ne kemi shpallur thirrje ndërkombëtare për investime në burime të ripërtëritshme, kështu që në momentin që këto thirrje shpallen, jeni më se të mirëpritur që të aplikoni. Thirrjet janë shumë transparente, bëhen në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe deri më tani kanë qenë të një cilësie shumë të mirë dhe nuk ka pasur asnjë ankesë.” – sugjeroi Kryeministri Rama.

Në vijim të konferencës, Paneli i Sektorit të Energjisë; Paneli i Infrastrukturës dhe Ndërtimit, si dhe Paneli i Pasurive të Paluajtshme dhe Turizmit patën si pjesëmarrës në diskutime edhe anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar si: Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve Blendi Gonxhja, Zëvendësministrat përkatës të Financës, Ekonomisë dhe të Infrastrukturës, si dhe Drejtuesen e Përgjithshme të Korporatës Shqiptare të Investimeve znj. Elira Kokona, etj, ku së bashku me homologë ndërkombëtarë u diskutua mbi Shqipërinë si porta e re e investimeve në rajon.