Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arrestimit të një kameramani të mërkurën, duke deklaruar se disa gazetarë kanë rrezikuar sigurinë e vajzave të saj. Ajo ka denoncuar publikimin e vendndodhjes, klasave dhe incizimeve të paautorizuara të tyre gjatë kohës që frekuentonin shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Osmani ka konsideruar se gazetarët asnjëherë nuk kanë raportuar për faktin se shefja e shtetit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë. Ajo ka shtuar se, ashtu sikurse edhe nxënësit e tjerë në vend, edhe vajzat e saj janë përballur me probleme: ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, mungesë pastrimi dhe mungesë sigurie në shkollë.

“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, përkundër moshës së tyre të mitur […] Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka theksuar se prania e policisë për mbrojtjen e vajzave të saj është ligjore sepse, sipas organeve të sigurisë, ato hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Ajo ka akuzuar gazetarët duke vlerësuar se “një pjesë e rëndësishme e këtij rreziku” buron nga veprimet e “disa prej këtyre të ashtuquajtur gazetarë” që operojnë në Kosovë.

“Fëmijët e mitur, të kujtdo qofshin ata, nuk janë subjekt i interesit publik politik, por imazhet dhe incizimet e paautorizuara të tyre në rrethana private shkaktojnë rrezik për sulme, kanosje e kidnapime eventuale, duke i bërë publike rutinat dhe lokacionet e tyre – përkundër vlerësimit të policisë se një gjë e tillë është në kundërshtim me rregullat e sigurisë”, ka nënvizuar tutje e para e shtetit në reagimin e saj të gjatë.

Osmani ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ligjore për të mbrojtur fëmijët e saj nga gazetarët, të cilët, sipas saj, s’e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve të pafajshëm, duke shkaktuar edhe “pasoja psikologjike afatgjata” për fëmijët që janë subjekt i asaj që ajo e cilëson përndjekje mediatike.