Një lajm shumë i madh ka ndodhur sot në Washington, përkatësisht në selinë e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sekretari Marco Rubio, ka nxjerrë stilografin dhe ka firmosur dy shkresa të freskëta, duke riaktivizuar të tmerrshmin 7031(C), aq i njohur në Ballkan dhe në Shqipëri.

Sekretari Rubio ka sanksionuar dy zyrtarë të rëndësishëm të Malit të Zi, vend i cili ende nuk ishte prekur nga dekreti i “non gratave”. Përkatësisht është shpallur non grata, ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Vesna Medenica dhe ish-kryebashkiaku i kryeqendrës ekonomike të vendit-Budva, Milo Bozhoviç.

Të dy janë të pandehur dhe mbi ta rëndojnë akuza se kanë përfituar nga krimi i organizuar, përkatësisht trafiku i kokainës, si dhe janë korruptuar nga pjesë të mafias vendore.

Medenica, politikisht është mbështetëse e ish-presidentit Milo Gjukanoviç, i partisë opozitare Partia e Demokratëve Socialistë, kurse Bozhoviç është një eksponent primar i një partive kryesore të mazhorancës qeverisëse, Frontit Demokratik, një forcë pro-serbe dhe pro putiniane, e cila mban postin e kryetarit të Parlamentit dhe ka gjysmën e qeverisë, si dhe kontrollon disa bashki.

Rikthimi i aplikimit të non gratave nga administrata e presidentit Donald Trump, pikërisht në një rajon si Ballkani, është një dëshmi politike e lënies në fuqi të të gjithë vendimeve të marra deri tani nga DASH prej administrave të mëparshme.

Edhe pse realisht ndikon në opinion propaganda se non gratat janë një “shpikje sorosjane”, fakt është se shumicën e tyre në Shqipëri i kanë firmosur sekretarët e Shtetit të Donald Trump, përkatësisht Rex Tillerson dhe Mike Pompeo.

Ky vendim i Uashingtonit për Malin e Zi nuk është thjeshte një këmbanë, por një akt i qartë politik që i drejtohet gjithnjë e më shumë subjekteve politike që mbrojnë dhe strehojnë këta personave.

Mbani mend kur Sali Berisha u sanksionua në 2021 dhe suita e tij mediatike thirri urra kur zyrtari i DASH, Gabriel Escobar takoi Milorad Dodik në Bosnjë? Duke mbrojtur argumentin se nëse e do populli Amerika nuk ka se ç’bën. Sot Milorad Dodik ka adresë të tijën vetëm Moskën e Pekinin.

Vesna Medenica, e zgjedhur në kohën kur partia e Milo Gjukanoviçit kishte mazhorancës, nuk u mbrojt nga kjo forcë politike, e cila deklaroi se mbështesnin drejtësinë.

Për Bozhoviç, gjithashtu nuk ka pasur një mbrojtje politike nga partia e tij, por ende nuk është rononcuar për rastin non grata.

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut, asnjë parti politike, duke nisur nga VRMO-ja që pati ish-kreun e saj, deri te LSDM-ja apo BDI-ja disa politikanë të rëndësishëm, nuk i ka mbrojtur eksponentët e sanksionuar nga SHBA.

Të vetmit subjekte që kanë mbrojtur të sanksionuarit non grata janë partia e Dodikut në Bosnjë dhe PD e Sali Berishës në Shqipëri.

Megjithatë, ka shumë gjasa që sinjali i ardhur nga Uashingtoni të hyjë nga njëri vesh e të dalë nga tjetri në mjediset politike të PD-së.

Grupi mbështetës mediatik do të vijojë të përdorë të njëjtën taktike, duke e injoruar, si dhe kundërsulmuar me akuza më të rënda në krahun tjetër.

E pikërisht këtu qëndron realisht thelbi i çështjes në opozitën shqiptare. Brenda saj ka mjaft personazhet që janë të bindur se non grata e Berishës dhe çështjet penale ndaj tij, janë pengesë për rritjen e saj politike.

Por pas fatit të Lulzim Bashës që guxoi ta pezullojë nga grupi parlamentar, mendojnë se në PD duhet bërë një betejë e butë. Një betejë, ku sulmohen të gjithë përveç të madhit.

Ervin Saljanji, në intervistat që ka dhënë në nisjen e sezonit të ri, bëri të ditur se ai mendon dhe do të nisë një lëvizje politike. E cila sipas tij duhet bërë duke njohur faktin e rëndësishë dhe peshës politike të Sali Berishës.

I cili, edhe pse nuk e takoi Saljanjin kur doli nga burgu, duke i lënë formalisht vetëm sallën e konferencave, nuk dëmtohet nga “lëvizjet e buta”.

Përkundrazi, nëpërmjet një politike në dukje “inkandeshente” e me debat, synon të tregojë në opinion se në PD ka një shoqëri galvanizuese idesh dhe opinionesh.

Nuk është fare çudi, që në fazat e duhura siç janë zgjedhjet lokale apo parlamentare, Berisha të bëjë aleancë me të gjithë “elementët e lëvizjeve të buta”. Qoftë kryebashkiaku i Kavajës, Saljanji, Myslim Murrizi apo edhe politikanë të tjerë. Të cilët nëse ndodh kjo do t’i tërheqë në betejat e tij, të cilat janë apolitike, thjesht një ngjitje pas karrikes duke bllokuar çdo proces.

Duke hedhur në opinion një strategji PR, që u dëgjua nga një prej ikonave të mediave pranë tij. Ku cilësohen “plehra” të gjithë ata që nuk pranojnë se zgjedhjet nuk u vodhën më 11 maj.

Opinion, që ka për të qenë rezultantja e argumenteve në panelet e darkës apo në sallën e Kuvendit. E megjithatë, non grata është aty dhe do të qëndrojë përjetësisht. Edhe sigur të hetohen apo dënohen zyrtarët që i formosën.

Shfrimi ndaj Boris Johnson-it, i cili është një i djathtë konservator dhe aleat i Trump, thjeshte se po hetohet, tregon pikërisht orientimin e kësaj politike.

Inatin për ndjekjen e doktorit ta shuajnë me urrejtjen ndaj gjithkuj armiku që ka ndonjë problem në punë, shtet, apo familje./Tema