Myslim Murrizi, nuk rresht së bëri betejë me lidershipin e PD-së, duke sjellë argumente të gabimeve të tyre në fushatë por jo vetëm.
Sot Murrizi ka trajtuar çështjen e Partisë së Lirisë, apo ndryshe partisë së Ilir Metës, përkatësisht ish-LSI. Murrizi thekson se kjo forcë politike nuk sjell asnjë votë për opozitën.
Ky përfundim i Murrizit është një çështje e rëndësishme e debatit politik që duhet të bëhet brenda opozitës për peshën e aktorëve në lojë. Sidomos tani kur kemi një hartë krejt të ndryshme të shpërndarjes së perceptimit popullor.
Ka qenë një kohë kur LSI ka sjellë vota për Partinë Demokratike. Në dy mënyra: qoftë indirekt qoftë direkt. Në zgjedhjet e 2005-sës, pa faktorin LSI Partia Demokratike nuk do të fitonte zgjedhjet parlamentare. LSI me kandidatët e saj sollën rënien e PS-së në së paku qendrat më të mëdha në vend: Tiranë, sidomos Durrës, pore dhe Fier, Shkodër, Elbasan etj. Në zgjedhjet e vitit 2011, faktori LSI solli një rritje eksponenciale të Lulzim Bashës si kandidat i përbashkët i të gjithë forcave anti-Edi Rama. Por pikërisht aty nis e gjithë loja, një lojë shumë interesante që njihet edhe si “loja e ngjalave”.
Edi Rama, pas humbjes së bashkisë së Tiranës në 2011 shkruan “Kurbanin” ku shtron rrugën për një koalicion me Ilir Metën. Koalicion, i cili siç po tregojnë zhvillimet, ka qenë një manovër më e komplikuar seç duket.
Të gjithë njerëzit pranë Ilir Metës ishin dakord për rikthimin e tij me PS-në, ndërkohë që kreu i LSI-së, kishte një marrëdhënie speciale me Sali Berishën. Marrëdhënie speciale, e cila ka shërbyer si një karrem luksoz i Edi Ramës për batakun që ngriti për dy “gushëkuqët” që e pandehnin veten më mjeshtra se kreu i PS-së.
LSI-ja pas “paktit të ngjalave” u llastua aq shumë sa nisi të zgjerohej përtej jorganit politik, duke marrë territory politik nga e djathte. Përkatësisht Ilir Meta në zgjedhjet e 2013-s mori zonat e influencës politike të PD-së, që zotëroheshin nga personazhet jo të dashur nga lidershipi i Sali Berishës.
Përkatësisht, Meta në Tiranë mori thuajse pjesën e luanit të zonave të Bamir Topit, në Durrës u zgjerua në Rrashbull dhe Shijak, në Fier gjithashtu në territore që kishin qenë domene të djathte etj. Kështu në zgjedhjet e 2013, LSI mori një numër deputetësh që mund të kondiciononte pushtetin e Edi Ramës. i cili nuk kishte as shumicën parlamentare si Parti Socialiste.
Ekuilibri i mandatit të parë të Edi Ramës, synoi që ta mbajë Ilir Metën dhe LSI-së në gjendje që ai të mos ketë mundësi që të prodhojë një përmbysje politike, gjë që në realitet Meta tentoi në verën e vitit 2016. Por që nuk bëri dot numrin e deputetëve. Një vit më pas, ndodhi një zhvillim bombastik takimi Rama-Basha, pikërisht 2 javë pasi kryeministri bëri Ilir Metën President të Republikës.
Pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që ishte dukshëm një deal i shtyrë nga ndërkombëtarët, destabilizoi Ilir Metën, i cili u ngjit në zyrën e Sali Berishës në katin 18 të 20 katëshit. Si rezultat, me një telefonatë mori një fetë të madhe të elektoratit radikal të Partisë Demokratike. Elektorat, që bashkë me miellin që Presidenti i atëhershëm kishte në magje i dhanë një grup parlamentar prej 18 deputetësh.
Një numër impresionues, të cilin do ta kishin zili jo vetëm çdo parti e re, por edhe të mëdhatë. Por, praktikisht 18 deputetët e Metës nuk i vlejtën fare. Rama mori mazhorancën e duhur për të qeverisur, duke sjellë kështu atë frustrim të gjatë që çoi në dalldisjen e djegieve të mandateve, a thua se kemi të bëjmë me një çmendje turmash kur diegin flamuj në sheshe fanatikësh.
Ato 18 deputetë të LSI nuk patën peshën politike të duhur sepse nuk ishin miell i magjes së tij, por një hua e doktorit. Hua që mund të kthehej kur ta kërkojë i zoti, edhe pse rrugës mund të mbesë ndonjë gjë.
Në krye të presidencës, Ilir Meta bëri shumë përpjekje për ta joshur atë elektorat që i kishte dhënë rezultatin e 18 deputetëve, duke e quajtur “populli i 2 marsit” me shpresë se do t’i joshë më shumë se Berisha, i cili i ka pasur si “bijtë e tij” politik që nga koha e revoltës së parë ndaj Tritan Shehut në Kamëz në 1994 e deri tek “Legalizimi” që u kthye si një nga treshja e parimeve të revolucionit francez.
Në zgjedhjet e vitit 2021, i gjithë ky elektorat u kthye në shtëpi, duke i uruar mikut të ri “suksese në jetë”, çka solli edhe tronditjen e madhe të LSI-së, e cila nuk ndërroi vetëm emër, aty hyri shejtani brenda në shtëpi. Ku jo vetëm se merrte vesh i pari të dytin, pore dhe të tretin, të katërtin e kështu me radhë, sa nisën të iknin një pas një.
Por përveç kësaj pjese politike, është e rëndësishme të theksohet një fakt i rëndësishëm politik. PD dhe LSI kanë qenë në koalicion të hapur e të fshehtë që në vitin 2005. Por në realitet, dy entitetet politike sidomos në bazë nuk kanë pasur kurrë një kimi politike. LSI është e natyrshme, edhe pse me sherre të bashkëjetojë me PS, pasi vijnë nga i njëjti mjedis.
Kurse një bashkëjetesë e bazës së demokratëv me LSI ka qenë gjithmonë abrasive, ka munguar konfidenca dhe gjithmonë në zgjedhje nuk kanë arritur të kenë një koherencë. Thjesht kanë tentuar të përfitojnë nga njëri-tjetri.
Marrëdhënia Berisha-Meta nuk zbriti aasnjëherë poshtë në bazë, pasi ka qenë një relacion i fshehtë, më shumë privat sesa publik.