Dy parcela të kultivuara me bimë narkotike kanabis u zbuluan në fshatin Urë të Tiranës. Në të dy parcelat kishte në total 427 bimë kanabisi.
Policia e Tiranës bëri me dije se ka arrestuar një prej kultivuesve të dyshuar, Rim Maxhaku 58 vjeç, ndërsa ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy të tjerë, Erjon Kryeziu 35 vjeç dhe Arlind Maxhaku 26 vjeç.
Sipas bluve, këta persona dyshohet të kenë kultivuar këto parcela kanabisi, të cilat ruheshin me dy kamera online që ishin vendosur pranë vendit të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Zbulohen në fshatin Urë, 2 parcela në të cilat ishin kultivuar 427 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Identifikohen 3 autorët e dyshuar. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë intensifikuar kontrollet në terren.
Si rezultat i kontrolleve dhe i hetimeve me metoda proaktive u zbuluan në fshatin Urë, 2 parcela në të cilat ishin kultivuar 427 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u identifikuan autorët e dyshuar, dhe u vu në pranga shtetasi R. M., 58 vjeç si dhe u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasve E. K., 35 vjeç dhe A. M., 26 vjeç, të tre banues në Shëngjergj.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar 427 bimë në 2 parcela në fshatin Urë, Njësia Administrative Shëngjergj, të cilat ruheshin me dy kamera online, të vendosura pranë vendit të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.