Serbia nuk është burimi i tensioneve në Ballkan, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar axhendën e një takimi midis Presidentit Vladimir Putin të Rusisë dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç të Serbisë.
“Marrëdhëniet tona janë shumëplanëshe dhe ka shumë çështje specifike në axhendë. Bëhet fjalë për bashkëpunimin në sektorin e energjisë, në fushën e kulturës, shkëmbimet studentore e kështu me radhë.
Dhe sigurisht, ka të bëjë me bashkëveprimin tonë në lidhje me tensionet rajonale, të cilat nuk shkaktohen nga Serbia”, tha Peskov.
Sipas Peskov, “takimet me Vuçiçin zakonisht zhvillohen në një atmosferë miqësore dhe janë gjithmonë mjaft të rëndësishme”.
Kur u pyet nëse kishte ndonjë lajm të mirë në lidhje me industrinë e gazit, zëdhënësi i Kremlinit theksoi se “kur bëhet fjalë për Serbinë, gjithmonë ka një marrëveshje të mirë. Është partneri ynë i mirë dhe miku ynë i dashur”.