Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se e drejta ndërkombëtare është në kolaps, ndërsa institucionet globale po tregohen të pafuqishme përballë krizave që po tronditin botën.
Në një fjalim të fortë, Zelensky theksoi se konfliktet e hapura, përfshirë luftën në Ukrainë, po dëshmojnë dështimin e mekanizmave ekzistues për ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar. Ai bëri thirrje për një “rivendosje të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, edhe pse pranoi se “mund të jetë tashmë shumë vonë”.
Kreu i shtetit ukrainas foli gjithashtu për takimet e tij me liderë botërorë, duke e cilësuar si “pozitiv” takimin e djeshëm me Presidentin amerikan Donald Trump.
“Dje patëm një takim të mirë me presidentin Trump dhe gjithashtu fola me shumë liderë të tjerë të fuqishëm. Së bashku mund të ndryshojmë shumë gjëra”, u shpreh Zelensky.
Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe ndihmën nga Evropa, duke theksuar se Ukraina është e vendosur të vazhdojë luftën për sovranitetin dhe sigurinë e saj.
“Po bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Evropa të ndihmojë realisht. Dhe sigurisht që mbështetemi te Shtetet e Bashkuara. E vlerësoj mbështetjen që po marrim”, tha ai.