Moldavët po përballen me një valë dezinformimi të nxitur nga inteligjenca artificiale përpara zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare, të cilat do të përcaktojnë nëse ky shtet i vogël do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian apo do të tërhiqet sërish në orbitën e Moskës.
Përpara votimit të së dielës për zgjedhjen e një parlamenti të ri me 101 vende, disa grupe monitorimi online kanë zbuluar fushata propagandistike dhe dezinformimi të atribuuara Rusisë. Qëllimi i tyre është të dobësojnë mbështetjen për Partinë e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), e cila është pro-evropiane dhe në pushtet në një votim që shumë e shohin si një zgjedhje gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit.
Studiuesit thonë se këto fushata të koordinuara përfaqësojnë një fazë të re të operacioneve ruse të ndikimit, të mbështetura nga infrastrukturë e re dhe përdorim i gjerë i inteligjencës artificiale. Uebfaqe të rreme që imitojnë mediat perëndimore të njohura, pagesa për “ferma angazhimi” në Afrikë, si dhe përdorimi i robotëve me AI për të mbushur seksionet e komenteve me sulme ndaj PAS dhe Bashkimit Evropian janë ndër taktikat kryesore.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, paralajmëroi se votimi i së dielës do të jetë “më vendimtari” në historinë e vendit të saj, pasi do të përcaktojë nëse Moldavia do të bëhet një demokraci e qëndrueshme apo nëse do të tërhiqet nga Rusia larg Evropës.
Ajo tha se anëtarësimi në BE do ta mbrojë Moldavinë “nga kërcënimi më i madh që përballemi: Rusia.”
Të hënën, policia arrestoi 74 persona në 250 bastisje si pjesë e një hetimi për një plan të supozuar të mbështetur nga Rusia për të nxitur trazira masive dhe për të destabilizuar vendin.
Partia pro-evropiane PAS, e themeluar nga Sandu në vitin 2016, fitoi një shumicë të qartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, por tani rrezikon ta humbasë atë të dielën. Në fletën e votimit nuk ka ndonjë alternativë të fortë tjetër pro-evropiane, ndërsa ka disa parti me orientim pro-rus.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Moldavia aplikoi për anëtarësim në BE dhe po atë vit mori statusin e vendit kandidat. Vjet, Brukseli ra dakord për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Autoritetet moldave prej kohësh kanë paralajmëruar se Rusia po zhvillon një luftë hibride — duke ndërhyrë në zgjedhje, përhapur fushata dezinformimi dhe financuar në mënyrë të paligjshme partitë pro-ruse me synimin për të penguar rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Moska e ka mohuar vazhdimisht ndërhyrjen në Moldavi.
Zbulimi i faqeve të krijuara nga inteligjenca artificiale
Reset Tech, një organizatë jofitimprurëse ndërkombëtare që monitoron kërcënimet dixhitale ndaj demokracisë dhe operacionet ruse të ndikimit online që nga viti 2022, ka hetuar një platformë në gjuhën angleze të gjeneruar nga inteligjenca artificiale me emrin Restmedia, e cila pretendon se është “e përkushtuar ndaj ekspozimit dhe trajtimit të çështjeve kritike që formësojnë të ardhmen e Evropës.”
Edhe pse Restmedia imiton gazetarinë hulumtuese përmes artikujve seriozë dhe grafikave të dizajnuara mirë, të gjithë përmbajtjet e saj gjenerohen duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale, sipas një raporti të Reset Tech të ndarë me agjencinë Associated Press. Rreth një e katërta e përmbajtjes fokusohet në Moldavi, por përkthehet dhe amplifikohet nga faqe në gjuhë të tjera të BE-së. Ajo boton “propagandë të përputhur me narrativat e Kremlinit” që sulmon presidenten Maia Sandu, partinë PAS dhe Bashkimin Evropian.
Dezinformimi nënkupton informacion të rremë që krijohet dhe përhapet me qëllim, kryesisht për të ngatërruar apo manipuluar.
“Kemi mësuar të dallojmë gjurmët e këtyre shërbimeve sekrete ruse në shumë vende të ndryshme… dhe i kemi parë shumë aktivë në Moldavi,” tha Ben Scott, drejtori i Reset Tech, për agjencinë AP. “Dhe nuk është për t’u habitur, sepse Moldavia përballet me zgjedhje shumë të rëndësishme.”
“Fermat e angazhimit” në Afrikë
Raporti 36-faqësh zbulon se Restmedia paguan “ferma angazhimi” në Afrikë për të promovuar narrativat e saj nëpër llogari të verifikuara në platformën X (ish-Twitter), në kuadër të skemave të quajtura “amplifikim me pagesë”. Edhe pse Restmedia është përpjekur të “maskojë infrastrukturën e vet”, studiuesit gjetën “lidhje të qarta teknike me Rusinë” përmes adresave IP dhe të dhënave të faqes.
“Nuk jam aspak i befasuar nga sofistikimi i tyre, sepse në fakt nuk është aspak i sofistikuar. Ajo që është vërtet e habitshme është përmasa e kësaj fushate,” tha Scott. “Nëse disa studiues të një OJQ-je si e jona mund të zbulojnë një operacion të madh informativ rus që synon Moldavinë, pse kompanitë e mëdha… nuk mund ta bëjnë këtë?”
Google, në një deklaratë, tha se po ndjek dhe trajton në mënyrë proaktive operacionet e koordinuara për të ndikuar në zgjedhje. “Në YouTube, si pjesë e monitorimit proaktiv për zgjedhjet moldave të vitit 2025, kemi mbyllur.
Mbi 1,000 kanale janë mbyllur që nga qershori 2024 për shkak të pjesëmarrjes në operacione të koordinuara ndikimi që kishin në shënjestër Moldavinë.
Ndërmjet 5 gushtit dhe 4 shtatorit, Expert Forum, një institut rumun që monitoron zgjedhjet në Moldavi, tha se kishte gjurmuar 100 llogari joautentike në TikTok të cilat kishin mbledhur gjithsej 13.9 milionë shikime, në një fushatë të shtyrë nga frika dhe zemërimi, që kryesisht sulmonte partinë në pushtet PAS. Më vonë, organizata zbuloi një “rrjet pasqyrë” të këtyre 100 llogarive në Facebook.
“Ajo që po shohim sot është thelbësisht ndryshe nga fushatat klasike të dezinformimit,” thuhej në raport. “Inteligjenca artificiale mund të gjenerojë profile të plota, fotografi realiste, biografi të besueshme dhe përmbajtje të ndryshme brenda minutash gjë që më parë do të kërkonte javë të tëra punë manuale.”
Edhe Promo-Lex, një organizatë jofitimprurëse moldave që monitoron zgjedhjet, identifikoi 500 llogari të rreme në TikTok që shpërndanin të njëjtat video, grafika dhe narrativa kundër BE-së dhe kundër presidentes Sandu, të cilat u panë 1.3 milionë herë brenda tre ditëve. Ky rrjet, i drejtuar nga 25 llogari kryesore, përdorte dy hashtagë të lidhur me zgjedhjet për të “manipuluar algoritmin e TikTok” dhe për të bërë që postimet të bëheshin virale.
Qeveria moldave ka ndërmarrë hapa për t’i kundërvënë kësaj vale. Më 16 shtator, presidentja Maia Sandu nënshkroi një dekret për krijimin e një qendre kundër dezinformimit.
Faqe mashtruese imitojnë mediat perëndimore
Një faqe që imitonte revistën amerikane të stilit të jetesës OK! Magazine publikoi një lajm të rremë me titull:
“Presidentja e Moldavisë në skandal me spermë të yjeve!”, duke përdorur në mënyrë të rreme edhe emrin e një gazetareje të vërtetë.
Artikulli pretendonte se Sandu e pamartuar dhe pa fëmijë po blinte spermë nga yje homoseksualë si Ricky Martin dhe Elton John për të pasur një fëmijë.
“Artikulli synon të diskreditojë Sandun duke përdorur stereotipe gjinore dhe duke sulmuar jetën e saj personale, ndërsa dëmton reputacionin e saj politik,” thuhet në një raport nga Reset Tech.
Një tjetër artikull në një faqe tjetër të rreme citonte si burim kryesor një raport të Fondacionit Rus për Luftën kundër Padrejtësisë (i sanksionuar nga BE-ja), i cili akuzonte Sandun për drejtimin e një rrjeti trafikimi fëmijësh për pedofilë në Europë, përmes Ukrainës.
“Operativët e Kremlinit po përdorin inteligjencë artificiale dhe softuerë të lirë për të krijuar faqe që imitojnë media të njohura,” tha eksperti Scott.
“Jo vetëm që u sjellin votuesve informacion të rremë në një moment kritik për vendin, por me kalimin e kohës kjo bën që njerëzit të mos kenë më besim te asgjë.”
Reset Tech tha se rrjeti përdor metoda dhe pasuri dixhitale që e lidhin atë me një rrjet më të gjerë të ndikimit informativ rus, shpesh i referuar si Storm-1516. Analiza e saj u bazua në kërkime nga Insikt Group i Recorded Future dhe nga Qendra për Ndarjen e Informacionit dhe Analizën mbi Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Huaj të Informacionit, e cila përbëhet nga DFRLab, EU Disinfo Lab, Alliance4Europe, dhe Debunk.
Oligark pro-rus i akuzuar për ndërhyrje
Oligarku pro-rus nga Moldavia, Ilan Shor, i dënuar për mashtrim dhe që raportohet se jeton në ekzil në Moskë, është akuzuar për financimin e një rrjeti të madh të sponsorizuar nga Rusia për reklama politike të paguara në Facebook dhe YouTube përpara zgjedhjeve.
Sipas institutit të mendimit WatchDog, me bazë në Kishinau, midis datave 30 prill dhe 28 korrik, një rrjet i udhëhequr nga Shor dhe disa aktorë të tjerë politikë ka paguar për 1,505 reklama në platformat e Metës, me një buxhet të vlerësuar prej 45,000 eurosh (rreth 53,000 dollarë). Qindra reklama janë vendosur gjithashtu në YouTube.
Gjatë periudhës që WatchDog e ka monitoruar, “narrativat kryesore propagandistike” të përhapura në të dyja platformat ishin:
Se PAS do të manipulojë zgjedhjet,
Se përndjek Kishën Ortodokse të Moldavisë,
Dhe se partia pro-BE ka varfëruar Moldavinë.
Autoritetet moldave ndërmorën një sërë bastisjesh përpara zgjedhjeve, si pjesë e hetimeve për korrupsion zgjedhor, financim të paligjshëm të partive, dhe pastrim parash, që dyshohet se lidhen me “organizatën kriminale” të Shor-it.
Gjatë një bastisjeje më 18 shtator, ku një person u ndalua, policia tha se sekuestroi para cash, laptopë, dokumente bankare, dhe se të dyshuarit po merrnin udhëzime përmes Telegram-it nga “kuratorë në Federatën Ruse” për mënyrën se si të shpërndanin dhe komentonin videot me dezinformim në Facebook, TikTok dhe Telegram. Shor i ka mohuar akuzat.
“Ne dimë si të luftojmë propagandën ruse (dhe) oligarkët pro-rusë,” thotë Andrei Rusu, ekspert për monitorimin e medias në WatchDog. “Por kemi nevojë për më shumë mbështetje nga partnerët tanë… Fjalët nuk do ta shpëtojnë vendin tonë nga një regjim pro-rus nëse këto zgjedhje do të manipulohen.”/AFP