Në një mbledhje të tensionuar të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku po diskutohet shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ka akuzuar mazhorancën për bllokim dhe ka kërkuar llogari për shkelje të rënda ligjore.
Zhulali deklaroi se i ishte ndaluar pjesëmarrja në mbledhje nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ndërsa u shpreh me tone të ashpra për situatën që po diskutohej. “Veliaj është gjallë, nuk ndodhet këtu sepse ju nuk e lejuat. Dhe duhet sikur po i përgatisni një ceremoni funebre,” u shpreh Zhulali, duke theksuar se kryebashkiaku “po merr shijen e gjellës që ka gatuar ndër vite”.
Sipas saj, vendimi për shkarkimin e Veliajt është i vonuar dhe i paplotë. “Veliaj duhet të ishte shkarkuar që në vitin 2023, për shkelje të rënda të ligjit. Ai ka cenuar ligjin për inceneratorët një vepër që nuk u ndërtua kurrë, por për të cilën janë paguar qindra milionë euro,” shtoi Zhulali, duke e lidhur gjithashtu emrin e Veliajt me aferën e njohur si “5D”, që sipas saj përfaqëson “një formulë mashtrimi dhe një dosje të zezë korrupsioni”.
Në përpjekje për të ruajtur rendin në sallë, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, e ndërpreu disa herë Zhulalin, duke e cilësuar fjalën e saj “jashtë objektit dhe projektvendimit në fjalë”.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak vijon mes debatit politik dhe përplasjeve verbale mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës.