E kanë pagëzuar “diplomacia e bashkëshortëve”. Por ajo që e bën vërtet të veçantë është mjeti i komunikimit i zgjedhur. Brenda një muaji, tre zonja të para kanë rizbuluar hijeshinë diskrete të letrës së shkruar me dorë, për të thënë fjalën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendeve përkatëse. Në shekujt e kaluar, kur marrëdhëniet mes shteteve vareshin nga shkëmbimi i pandërprerë i letrave, diplomacia e shkrimeve ishte normë. Por në epokën e rrjeteve sociale, ky është një fakt i jashtëzakonshëm. Që pastaj të jetë edhe i efektshëm, është një histori tjetër.
Gjithçka nisi në gusht, në samitin e Anchorage. Duke takuar Vladimir Putinin, Donald Trump i dorëzoi atij një “letër paqeje” ku bashkëshortja e tij Melania i bënte apel atyre që në Amerikë i quajnë “the better angels” – engjëjt më të mirë të kreut të Kremlinit, nëse ai i ka, duke iu lutur si prind që të “mbrojë pafajësinë e fëmijëve”.
Jo se Melania po i thoshte gjërat me fjalë të shëmtuara. Përkundrazi. E bërë publike nga vetë autorja në rrjetin mik Fox News, letra nuk përmbante asnjë referim për pushtimin e Ukrainës, asnjë përmendje për vdekjen e mbi 700 fëmijëve në bombardime dhe aq më pak për deportimin në Rusi të 20 mijë fëmijëve ukrainas, të rrëmbyer me forcë nga familjet e tyre. Në vend të kësaj, eufemizma të paqarta, në një gjuhë të ëmbëlsuar e aludime: “Çdo fëmijë ka të njëjtat ëndrra të heshtura në zemër: dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku. Por në botën e sotme, disa fëmijë janë të detyruar të buzëqeshin në heshtje, të pandjeshëm ndaj errësirës përreth tyre. Zoti Putin, ju vetëm mund t’ua ktheni atyre një buzëqeshje melodioze”. Putini e mori letrën me një farë përbuzjeje të fshehtë, e hapi dhe e lexoi menjëherë, por as ai e as stafi i Kremlinit nuk bënë kurrë ndonjë koment zyrtar.
Për t’i thënë gjërat me emrin e tyre, disa ditë më vonë u kujdes Olena Zelenska, e cila nga ana e saj ia besoi bashkëshortit Volodymyr një letër për Melanian. Presidenti ukrainas ia dorëzoi atë në Zyrën Ovale Trumpit të befasuar dhe dukshëm të kënaqur. Përmbajtja dihet pak, përveçse Zelenska e ka falënderuar zonjën e parë amerikane që tërhoqi vëmendjen mbi fatin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga ushtarët rusë.
Por nuk mbaroi aty. Në fund të gushtit, Melania Trump mori një tjetër letër, këtë herë nga Ankaraja. Ishte e Emine Erdogan, bashkëshortes së presidentit turk Recep Tayyip, e cila me një kthesë shumë të zgjuar e mori fjalën e saj për të ngritur një temë tjetër, jo më pak dramatike: “Kam besim se ndjeshmëria e rëndësishme e treguar për fëmijët e vrarë apo të rrëmbyer në Ukrainë, do të shtrihet edhe në Gaza, ku 62 mijë civilë të pafajshëm, prej tyre 18 mijë fëmijë, janë vrarë brutalisht në më pak se dy vjet”. Fakti që mbulesat e mijëra fëmijëve të Gazës etiketohen si “fëmijë i panjohur”, “lë plagë të pashërueshme në ndërgjegjen tonë”, vijon Emine Erdogan, e cila ndan ndjenjat e Melanias ndaj fëmijëve ukrainas dhe shpreson “t’u jepet e njëjta shpresë edhe atyre palestinezë”.
Nuk është hera e parë që një zonjë e parë amerikane nis një diplomaci paralele. Eleanor Roosevelt ishte kampione e të drejtave civile dhe mbrojtëse e New Deal-it. John Kennedy e shndërroi të shoqen Jacqueline në një instrument të fuqishëm të “fuqisë së butë” amerikane. Pas atentatit në Dallas, Jackie i shkroi një letër personale liderit sovjetik Nikita Hrushov, duke e falënderuar që dërgoi një përfaqësues të tij në funeral dhe duke e ftuar të vazhdojë punën e nisur bashkë me bashkëshortin e saj për të parandaluar që bota të shpërthente në apokalips bërthamor. Nancy Reagan u përpoq të përshpejtonte fundin e Luftës së Ftohtë edhe përmes marrëdhënieve me Raisa Gorbaçovën, ndërsa Hillary Clinton dhe Laura Bush qenë aktive në promovimin e të drejtave të grave në Amerikë dhe në botë.
Por është hera e parë që një zonjë e parë ka për bashkëshort një president me testosteron ‘në qiell’ dhe krejtësisht i magjepsur nga burrat e fortë dhe diktatorët. Kjo e vendos zonjën Trump në pozitën e të qenit një “zëvendësuese” për Donaldin, duke ofruar një anë më të butë dhe më pak të ashpër. Por, në të njëjtën kohë, konfirmon margjinalitetin e rolit ku Melania është e kufizuar dhe vetëkufizohet. Përveç një buzëqeshjeje djallëzore në fytyrën e ftohtë të Putinit, letra, apo më mirë letrat e “zonjave të para”, nuk kanë pasur asnjë efekt. Në Ukrainë dhe në Gaza fëmijët vazhdojnë të vdesin./Corriere della sera