Elseid Hysaj, një nga figurat kyçe të përfaqësueses shqiptare, nuk i fshehu ndjenjat pas fitores së madhe kundër Serbisë, në një transfertë historike që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve shqiptarë.
“11 vite për ta fituar këtë ndeshje,” u shpreh mbrojtësi kuqezi, duke e cilësuar këtë triumf si një moment të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët.
“Kemi gabuar në dy ndeshje, për të cilat mund të ishim duke festuar edhe më shumë. Mos harrojmë që kemi edhe dy ndeshje të rëndësishme përpara. Gjithë kjo festë tregon që jemi një grup fantastik,” shtoi ai.
Hysaj ndau edhe një detaj personal dhe emocional nga momentet para ndeshjes:
“Unë nuk dal kurrë për të parë fushën, por sot dola. U thashë lojtarëve:
‘Sot është qetë, duket sikur luajmë në Shqipëri, tifozët do të ndizen më vonë’, dhe ashtu ndodhi.”
Në fund, Hysaj u ndal edhe te rekordi i tij historik me fanellën kuqezi, duke e kaluar Lorik Canën si lojtari me më shumë paraqitje në Kombëtare:
“Loriku e di që rekordet janë bërë për t’u thyer. Është krenari për mua, për familjen time. Kur të rriten fëmijët, do t’iu them që babai juaj është i shkruar në librat e historisë.”
Mesazhi i parë pas ndeshjes?
“Ishte nga gruaja, bashkë me tre fëmijët,” përfundoi Hysaj me emocion.