Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 10:00 për të shqyrtuar pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e qeverisë së re. Kryeministri në detyrë Albin Kurti do të prezantojë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, dhe pritet të shihet nëse do të marrë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.
Në rast se nuk merr votat, Kurti do të bëhej mandatari i parë që do të dështonte për krijimin e qeverisë së re, pasi në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash herën e parë.
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se nëse nuk arrihet sot dakordësi, do të ftojë të gjitha partitë për të parë nëse ndonjëra prej tyre mund të sigurojë 61 votat që i duhen në Kuvend. Osmani e ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje formimin e qeverisë pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Deri tani nuk ka pasur njoftim për ndonjë koalicion. Kurtit i është “mbyllur dera” thuajse nga të gjitha partitë. PDK, LDK e AAK janë shprehur kundër një bashkëpunimi me LVV-në. E vetmja parti që ka lënë mundësi koalicioni me partinë e Kurtit është ajo e NISMA-s, por me kushte të cilat lidhen me postin e kryetarit të parlamentit.
Sipas Kushtetutës, nëse Kurti nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë presidentja brenda 10 ditësh duhet të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin e ri që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse edhe përpjekja e radhës dështon, atëherë Osmani do të duhet të shpallë zgjedhje të reja që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.


















