Në atmosferën dinamike të Get in the Ring Albania 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme për sipërmarrësit dhe inovatorët e rinj shqiptarë, projekti i punësimit të të rinjve të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, zbatuar nga Helvetas, ishte një nga mbështetësit kryesorë të këtij eventi. Ky kontribut ka qenë i rëndësishëm për rrugëtimin e GIR Albania në ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm start up-esh dhe nxitjes së aftësive sipërmarrëse tek të rinjtë, duke ofruar mentorim cilësor, rrjetëzim me aktorë kyç dhe ekspozim në skenën ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, mbështetja e Get in the Ring Albania 2025 ishte një mundësi konkrete për të treguar se si talenti dhe aftësitë e reja mund të kthehen në biznes të konkretizuar, duke e bërë këtë event një pikë kthese për ata që duan të shndërrojnë idetë e tyre në histori suksesi. Ndaj, ne folëm me znj. Edlira Muedini, Drejtuese e Helvetas në Shqipëri, për të kuptuar më shumë mbi këtë angazhim dhe vizionin që qëndron pas tij.
Projekti ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i sektorit privat, zhvillimit të aftësive dhe këshillimit të karrierës në Shqipëri. Pse mendoni se nisma të tilla janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit?
Edlira Muedini: RisiAlbania është një projekt që prej vitit 2013 ka synuar të nxisë punësimin e të rinjve në Shqipëri, me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), dhe zbatuar nga Helvetas dhe Partners Albania. Projekti ka punuar me aktorë të sektorit privat në fushat e TIK-ut, Agro-biznesit dhe Turizmit për të krijuar më shumë mundësi punësimi për të rinjtë, si dhe për të përmirësuar shërbimet e orientimit në karrierë dhe aftësimin profesional.
Start-up-et nuk janë thjesht biznese të vogla, ato janë burim inovacioni dhe krijimi të vendeve të reja të punës. Në një vend si Shqipëria, ku potenciali rinor është i madh, mbështetja e sipërmarrjes rinore është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të rritur punësueshmërinë e të rinjve. Për këtë arsye kemi mbështetur ofrues trajnimesh në prezantimin e kurseve për aftësi të kërkuara nga tregu, duke ndihmuar mbi 1200 të rinj që të punësohen ose vetëpunësohen brenda 6 muajve nga përfundimi i trajnimeve.
Sot, tregu i formimit profesional po zgjerohet me oferta për aftësi digjitale, të gjelbra, por edhe sipërmarrëse, andaj edhe ofruesit privatë të trajnimeve po luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e start-up-eve. Nisma “Get in the Ring” i bashkon të gjitha këto përpjekje, duke nxitur jo vetëm krijimin e bizneseve të reja dhe vetëpunësimin, por edhe fuqizimin e të rinjve për të kthyer idetë e tyre në projekte të qëndrueshme dhe të lidhura me nevojat reale të tregut.
Këtë vit projekti mbështeti Get in the Ring Albania 2025. Çfarë ju motivoi për këtë partneritet?
Edlira Muedini: Get in the Ring është një platformë unike që bën pikërisht atë që duam të shohim në Shqipëri – lidh sipërmarrësit e rinj me investitorë, mentorë dhe rrjet ndërkombëtar. Duke e mbështetur këtë aktivitet përmes projektit RisiAlbania, synuam t’u jepnim te rinjve një mbështetje ku të shpalosin talentin e tyre, të marrin udhëzim profesional dhe të eksplorojnë tregje përtej kufijve tanë. Ky është një hap i rëndësishëm për t’i bërë ata më të përgatitur për tregun e punës, pavarësisht nëse zgjedhin të punësohen apo të ndërtojnë një sipërmarrje.
Çfarë ju impresionoi më shumë te edicioni i këtij viti dhe te rinjve pjesëmarrës?
Edlira Muedini: Më la mbresa energjia, kreativiteti dhe guximi i tyre. Shumë ide nuk ishin vetëm inovative, por kishin në qendër aftësinë për të gjetur zgjidhje të reja për punësim, për qëndrueshmëri dhe për impakt social. Ky është një tregues se Shqipëria ka potencialin për të ndërtuar jo vetëm biznese, por edhe një brez të ri profesionistësh të aftë për të konkurruar në skenë ndërkombëtare
Duke parë përpara, si e shihni rolin tuaj në mbështetjen e zhvillimit në Shqipëri?
Edlira Muedini: Do të vijojmë të bashkëpunojmë me partnerë publikë dhe privatë për të forcuar sektorin privat, zhvillimin e aftësive, si dhe këshillimin e karrierës, përpos punës aktuale që Helvetas zhvillon edhe në drejtimin e forcimit të qeverisjes vendore. Qëllimi ynë është që çdo qytetar, qoftë i ri dhe e re në Shqipëri, të ndihet i fuqizuar për të ndjekur vizionin e vet dhe të besojë se me përkushtim, aftësitë e duhura, informacion, orientim profesional, e padyshim punë, ëndrrat mund të bëhen realitet.