Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në emisionin “Now”, me moderatore Erla Mëhilli në Euronews Albania ka folur lidhur me kandidaturën e Florian Binajt për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme në Tiranë. Shehaj ka theksuar se kandidaturën e Binajt e ka marrë vesh nga mediat dhe prandaj e ka cilësuar si thikë pas shpine nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Ai ka theksuar se emri i Binajt nuk ishte diskutuar por shtoi se kjo nuk do të jetë një arsye për të mos e mbështetur. Shehaj u shpreh se ai ka propozuar që kandidati të jetë jashtë partive politike dhe prandaj e mbështet Binajn.
“Nuk e kishin dëgjuar, nuk e sollën në tavolinë dhe të thonë hajde ulemi. Kjo nuk ka rendësi, nuk është çudi dhe nuk habitemi por kjo nuk është arsyeja që të themi bëni ca të doni, vrisni veten. Qëllimi i propozimit tonë ishte ti jepnin bashkisë së Tiranë një kryetar bashkie të pa korruptuar. Qëllimi ynë ishte të plotësonin interesin e qytetarit, kjo na çoi të dilnim me një propozim që më pas u pranua,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij kryeministri Edi Rama po tenton të zëvëndësojë Erion Veliajn me një person tjetër të korruptuar. Shehaj shprehet se mbështet kandidaturën pasi është një mundësi për të këputur zinxhirin e korrupsionit.
“Kur del mundësia për të këputur zinxhirin e korrupsionit të Edi Ramës që do të zëvendësoje një të korruptuar me një tjetër te korruptuar. Nëse del mundësia pa u kompromentuar duke qëndruar secili te projekti politik dhe duke mbështetur një kandidat jashtë partive politike nuk ka arsye përse mos ta bëj,” tha ai.