Kreu i ILD-së, Artur Metani thotë se ILD kurrë nuk ka pasur asnjë hetim për gjyqtaren e GJKKO-së Irena Gjoka. Qëndrimi i Metanit erdhi në Komisionin e Ligjeve pas akuzave të Sali Berishës dhe opozitës kundrejt gjyqtares Gjoka, të cilët e akuzojnë se është dënuar nga Greqia për falsifikim dokumentesh, por e ka fshehur dënimin.
Ishte anëtari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PL-së, Tedi Blushi, i cili e pyeti Metanin nëse ILD ka nisur procedim disiplinor, për gjyqtaren Irena Gjoka për fshehjen e dënimit në shtetin fqinj të Greqisë. Metani tha se gjyqtarja Irena Gjoka nuk ka qenë asnjëherë në inspektim nga ILD.
“Irena Gjoka nuk ka qenë asnjëherë në inspektim nga ILD. Nuk e kam thënë kurrë këtë. I mbaroj të gjitha hetimet në afat. Nuk kemi nisur asnjë hetim për të. Në koordinim me institucione të tjera, që lidhen me dekriminalizimit, jemi në pritje të fakteve për ndonjë shkelje eventuale” tha Metani.
Ndërsa pyetjes së Blushit nëse ka ankesa për prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO, Metani tha se nuk jep emra.