Zëdhënësja e Donald Trump, Karoline Leavitt u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka folur edhe për takimin Trump-Putin.
Ajo u pyet se çfarë ndryshoi që Donald Trump të shkaktonte “ndryshimin” në qëndrimin e tij ndaj Rusisë gjatë javës së fundit, përfshirë vendosjen e sanksioneve dje.
“Presidenti gjithmonë ka pohuar se do të zbatojë sanksione ndaj Rusisë kur ta ketë ndier të përshtatshme dhe të nevojshme, dhe dje ishte ajo ditë”, tha Leavitt.
“Mendoj se presidenti ka shprehur prej kohësh edhe zhgënjimin e tij me Vladimir Putinin dhe, sinqerisht, me të dyja palët e kësaj lufte.”
Sekretarja e shtypit tha se Trump kohët e fundit nuk ka parë mjaftueshëm interes dhe veprim nga Rusia për të “çuar topin përpara drejt paqes”.
“Një takim midis dy udhëheqësve nuk është krejtësisht i pamundur. Mendoj se presidenti dhe e gjithë administrata shpresojnë që një ditë kjo të ndodhë përsëri”, shtoi Leavitt.
“Por ne duam të sigurohemi që të ketë një rezultat të prekshëm dhe pozitiv nga ai takim dhe që të jetë një përdorim i mirë i kohës së presidentit.”
E pyetur nëse mund të pasojnë më shumë sanksione nga SHBA-ja, Leavitt tha se do t’ia lërë këtë presidentit të vendosë.