Për të lënë gjurmë mjaftojnë vetëm pak minuta dhe këtë e ka përmbushur siç duhet Arbër Hoxha. Futbollisti i kombëtares shqiptare u zgjodh lojtari më i mirë i muajit shtator në Superligën kroate, duke bërë kështu diferencën në fushë.
Vetëm pak çaste, por anësori ka arritur të japë shkëndijat e duhura për të qenë edhe vendimtar për ekipin e Dinamos së Zagrebit. Pavarësisht se mesatarisht luajti 39 minuta për ndeshje, Hoxha shkëlqeu në derbin kundër Hajdukut, ndërsa shënoi një gol dhe asistoi në 45 minuta kundër Slaven Belupos.
Hoxha shfaqi një formë të shkëlqyer gjatë muajit të kaluar, duke kontribuar te rezultatet e skuadrës. Sulmuesi dominoi totalisht për të marrë shumicën e votimit të tifozëve.
Kjo pritet ta motivojë për të dhënë maksimumin edhe me kombëtaren shqiptare. 26-vjeçari do të jetë i gatshëm për trajnerin Sylvinho në dy ndeshjet e muajit tetor kundër Serbisë të shtunën e ardhshme dhe Jordanisë më 14 tetor.