Senati i Italisë miratoi një reformë të thellë të sistemit gjyqësor, duke avancuar një nga ndryshimet kushtetuese më të rëndësishme të propozuara nga kryeministrja Giorgia Meloni, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga trupa gjyqësore dhe opozita e qendrës së majtë.
Reuters shkruan se reforma duhet të kalojë në një referendum kombëtar që do të mbahet në pranverën e ardhshme për tu bërë ligj. Votimi në Senat u zhvillua me tensione mes koalicionit të Melonit dhe gjyqësorit, pas vendimit të Gjykatës së Auditorëve të Shtetit që refuzoi të miratojë planin e qeverisë për ndërtimin e urës që lidh Siçilinë me kontinentin. Por, Meloni akuzoi gjykatën për lojëra politike, ndërsa gjyqtarët e hodhën poshtë këtë pretendim.
“Po hedhim një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më efikas, më të balancuar dhe më afër qytetarëve”, tha Meloni pas votimit.
Kryeministrja gjithashtu e cilësoi reformën si një arritje historike. Nëse miratohet në referendum, reforma do të ndryshojë rrënjësisht strukturën e sistemit gjyqësor italian, duke ndarë përfundimisht karrierat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Qeveria argumenton se ky hap do të shmangë konfliktet e interesit dhe ndikimin politik në vendimet gjyqësore.
Aktualisht, magjistratët hyjnë në sistem përmes një provimi të vetëm dhe mund të kalojnë nga një rol në tjetrin gjatë karrierës. Me sistemin e ri, kandidatët do të duhet të zgjedhin që në fillim nëse duan të bëhen gjyqtarë apo prokurorë, pa mundësi ndërrimi më pas. Këshilli që merret me emërimet dhe çështjet disiplinore do të ndahet në dy organe të veçanta vetëqeverisëse, anëtarët e të cilëve do të përzgjidhen me short në vend të zgjedhjeve, për të kufizuar ndikimin e grupeve të interesit.
Nga ana tjetër, gjyqtarët dhe opozita e majtë e akuzojnë qeverinë se po përpiqet të marrë kontroll mbi prokurorët dhe hetimet. Popullariteti i Giorgia Melonit mbetet më i lartë se në fillim të mandatit, çka mund t’i japë avantazh në referendum. Por analistët paralajmërojnë se referendumet në Itali shpesh shndërrohen në votë proteste ndaj qeverisë.
Sistemi i drejtësisë italian mbetet ndër më të ngadalshmit në Evropë. Të dhënat e BE-së tregojnë se zgjidhja e çështjeve civile dhe tregtare kërkon mesatarisht 1,000 ditë, rreth 200 ditë më shumë se mesatarja e vendeve të tjera anëtare. Megjithatë, normat e përfundimit mbi 100% tregojnë një përmirësim të ndjeshëm në uljen e prapambetjeve.
 
			
