Filozofi dhe sociologu i njohur, Artan Fuga, ishte i ftuar sot në emisionin “Në kohë reale” me moderator Flori Gjinin, ku bëri një analizë thellësisht kritike mbi natyrën e mirënjohjes në shoqërinë shqiptare dhe rënien e vlerave autentike.

Sipas Fugës, ndjenja njerëzore e mirënjohjes, ndonëse e rëndësishme, mbart një “rrezik të madh”: atë të humbjes së lirisë së personit që e shpreh.

Kur mirënjohja bëhet skllavërim

Fuga argumentoi se në fushën e sociologjisë dhe filozofisë, ai ka arritur në përfundimin se menaxhimi i ndjenjave kërkon punë dhe kujdes të madh. Ajo që e shqetëson më së shumti është përdorimi i veprës së mirë si mjet manipulimi.

“Ai që bën një vepër që vlen mirënjohje, në shumë raste përdoret për të skllavëruar. Ta bëj tjetrin mirënjohës për ta skllavëruar,” u shpreh Fuga.

Ai vuri në dukje një rrudhje dhe zbehje të atyre që shprehin mirënjohjen me të vërtetë autentike.

Në lidhje me atë se kush e meriton mirënjohjen, Fuga bën një dallim thelbësor:

Ai theksoi se mirësia nuk ka lidhje me dijen apo arsimimin, duke sjellë si shembull gjyshet, të cilat “e kanë pasur si ndjesi mirësinë” pa qenë shumë të arsimuara. Një veprim i mirë meriton mirënjohje pa e kërkuar atë.

Për Fugën, nëse veprimi i mirë shoqërohet me “reklamë të madhe” dhe kërkohet mirënjohja, ky person nuk e meriton atë.

Filozofi e thelloi kritikën e tij duke e quajtur “tregti ndjenjash” situatën kur njerëzit mendojnë se bëjnë një nder vetëm sepse janë në borxh. Sipas tij, në thelb, marrëdhëniet shoqërore rrallëherë janë vërtet pa kushte.

“Çdo e mirë që bëhet nuk është falas. Asnjë darkë ku je i ftuar nuk është falas. Është marrje dhënie,” përfundoi Fuga, duke ngritur pyetje thelbësore mbi motivet e akteve të mirësisë dhe reciprocitetin e shkëmbimeve shoqërore.