Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i ka kërkuar Partisë Demokratike të mbaje qëndrim për kërcenimet që kreu i saj, Sali Berisha bën tek dera e GJKKO dhe SPAK.
Duke iu rikthyer dhe një herë debateve të djeshme në Kuvend, kreu i grupit socialist Balla ka ripublikuar një pjesë nga fjala e djeshme, ku theksoi se Kuvendi duhet t’u japë njerëzve të drejtësisë një mesazh mbështetje dhe sinjal distancimi nga ata që i kërcënojnë çdo ditë tek dera e Gjykatës dhe Prokurorisë.
“Gjyqtarët, Prokurorët dhe Magjistratët presin nga Kuvendi i Shqipërisë një mesazh solidariteti, një sinjal mbështetjeje dhe presin distancim nga persona të caktuar që te dera e Gjykatës kërcënojnë Prokurorin dhe Gjyqtarin. Kjo është e vërteta e madhe që presin, por ne — shyqyr që ju kemi — dhe Shqipëria gjynah që ju ka juve”, deklaroi Balla.
Ai kritikoi gjithashtu edhe mënyrën si opozita ka tentuar të marrë fjalën jashtë rregullores, duke ripërsëritur disa herë sqarimin se fjala për procedurë duhet të merret vetëm kur lidhet me çështjet e rendit të ditës.