Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me kryetarin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian në Senatin italian, Giulio Terzi.

Gjatë takimit Terzi shprehu mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar të Italisë për bashkimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Senatori Terzi vlerësoi “klimën e ngrohtë të bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve parlamentare italiane dhe shqiptare”, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta historike, kulturore dhe politike që lidhin të dy vendet.

Ai nënvizoi se Italia e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në BE si një përparësi strategjike për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit dhe të Evropës në tërësi.

“Ndjekim me vëmendje dhe vlerësojmë progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave, përfshirë hapjen e kapitullit për agjendën e gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme më 16 shtator, si një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, theksoi Terzi, duke shtuar se objektivi i përbashkët është hapja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2025 dhe përfundimi i negociatave deri në vitin 2027.