Tirana dhe Teuta ndanë pikët në sfidën e javës së shtatë të Kategorisë Superiore, me një barazim pa gola në stadiumin “Air Albania”. Të dyja skuadrat, që vinin pas fitoreve në javën e kaluar, patën raste për të zhbllokuar rezultatin, por mungesa e saktësisë dhe ndërhyrjet e portierëve bënë që ndeshja të përfundonte 0-0.

Me të njëjtin rezultat përfundoi edhe përballja e shumëpritur mes kampionëve të Egnatias dhe Dinamos, e cila shihej si një nga supersfidat e kësaj jave, duke mos prodhuar fitues dhe duke ndarë nga një pikë për secilën skuadër.

Ndërkohë, Vllaznia arriti të marrë tre pikët në transfertën ndaj Bylisit, falë një fitoreje minimale 0-1. Takimi u shoqërua me tensione, pasi vendasve iu anuluan dy gola pas ndërhyrjes së VAR-it. Pas ndeshjes, presidenti i Bylisit akuzoi Federatën Shqiptare të Futbollit për ndikim në arbitrazh, duke pretenduar se gjyqtari ishte i komanduar.

Pas këtyre tre sfidave të para të javës, Vllaznia ngjitet në krye të renditjes, duke krijuar një diferencë prej dy pikësh nga ndjekësit më të afërt, Egnatia.