Barcelona ka arritur një fitore dramatike në javën e nëntë të La Ligës, duke mposhtur Gironën me rezultatin 2-1 në “Estadi Olímpic Lluís Companys”. Kapiteni Ronald Arauho ishte vendimtar me një gol në minutën e 93-të, duke i dhënë katalanasve tre pikë të çmuara.

Skuadra blaugrana e nisi mirë takimin dhe kaloi e para në avantazh me Pedrin, i cili shënoi pas një aksioni të kombinuar në mesfushë. Megjithatë, Girona, që po kalon një formë të dobët dhe ndodhet pranë zonës së rënies nga kategoria, reagoi shpejt. Ishte Witsel ai që riktheu baraspeshën në minutat e fundit të pjesës së parë.

Ndeshja u zhvillua me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë, por ishte Barcelona ajo që këmbënguli më shumë. Dhe përpjekjet u shpërblyen në minutën e tretë shtesë, kur Arauho realizoi me kokë pas një goditje këndi, duke çuar peshë tifozët në stadium.

Kjo fitore e çon Barcelonën më pranë kreut të renditjes, ndërsa në horizont shfaqet supersfida ndaj Real Madridit, e planifikuar për fundjavën e ardhshme.

Rezultati final: Barcelona 2-1 Girona