Të gjithë duhet të mbështesim entuziazmin e Sali Berishës për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, i cili mund të jetë një barkë shpëtimi për Partinë Demokratike dhe opozitën në tërësi nëse zbaton rekomandimet që ai ka për të dalë nga kjo situatë.

Edhe pse Berisha dhe ndonjë “entuziaste” tjetër në opozitë përpiqen të bëhen entuziastë nga përshkrime problemesh të zgjedhjeve që janë përgjegjësi e PS, PD, shtypit, policisë etj., ato që janë thelbësore në një raport dhe që ndihmojnë përmirësimin e shanseve për zgjedhje janë rekomandimet e raportit.
Rekomandimet, në një farë mënyre, dëshmojnë edhe përmbajtjen reale të raportit, pasi ato japin recetën për zgjidhjen e problemeve.

Kështu që në këtë rast duhet përdorur entuziazmi i Berishës për këtë raport me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të bëhen sipas rekomandimeve të këtij raporti. Problemi është se deri tani Berisha po u gëzohet konstatimeve, qeveria po u gëzohet rekomandimeve.

Rekomandimi i parë më i rëndësishëm është që të ndërmerret një reformë gjithëpërfshirëse e kuadrit ligjor elektoral, me proces gjithëpërfshirës konsultimi me palët dhe shoqërinë civile. Ky rekomandim nënkupton që të kemi një transformim të sistemit, nëse dëshirojnë pra ta bëjnë tërësisht me lista të hapura, ose të ndryshojnë fare sistemin.

Rekomandimi bëhet pasi është konstatuar se sistemi që mbrojti Berisha në ndryshimet e fundit të Kodit me listë të mbyllur 30 për qind, për të garantuar vetëm besnikët e vet, rezultoi problematik dhe katastrofik për opozitën. Qeveria është gati ta bëjë.
Pyesni Sali Berishën nëse do që ta ndryshojë dhe falënderoni ODIHR. Deri tani është kundër.

Rekomandimi i dytë i rëndësishëm është pavarësia dhe paanshmëria e administratës së zgjedhjeve, në veçanti për mënyrën e emërimit të komisioneve vendase për zgjedhje, për të reduktuar ndikimet politike. Me pak fjalë, ODIHR rekomandon administrim jo politik të zgjedhjeve, pasi konsideron se një nga problemet në zgjedhje janë komisionerët politikë që prishin fletë votimi, shtojnë apo heqin vota duke numëruar për interesa politike.

PS është dakord me këtë rekomandim. Pyesni Sali Berishën nëse do që ta ndryshojë dhe falënderoni ODIHR për këtë ndihmë. Deri tani është kundër.

Rekomandimi i tretë i rëndësishëm është të përcaktohen qartë aktivitetet dhe shpenzimet paraprake të fushatës, të rritet transparenca dhe të forcohet mbikëqyrja e tyre, për të siguruar barazi midis konkurrentëve. Nevoja për këtë rekomandim vjen nga paratë e padeklaruara në fushatë, që është një fenomen i përhapur tek Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Kjo e fundit madje nuk ka deklaruar akoma ku i gjeti 6 milionë dollarët e parë të paguara për të hequr “non grata” dhe akoma s’ka asnjë raport financiar për burimet.

Pyesni Sali Berishën nëse do që ta ndryshojë dhe falënderoni ODIHR për këtë ndihmë. Deri tani është kundër dhe me fjalë dhe me vepra. Presim raportet për LaCivitën.

Rekomandimi tjetër për përmirësimin e informimit të zgjedhësve për procedurat e votimit elektronik, votimin e njerëzve me aftësi të kufizuara përmes postës apo monitorimin e fondeve publike që mund të ndikojnë në fushatë është teknik dhe i realizueshëm, sepse është detyrë e qeverisë, përveç votimit të njerëzve me aftësi të kufizuara me postë që nuk pranohet nga opozita.

Rekomandimi tjetër që të etiketohet si reklamë politike çdo material filmik i partive ose qeverisë dhe të ndalohet transmetimi i tij si lajm ose editorial i pavarur, të vendosen sanksione për shkelje, është çështje e medias më shumë se e partive. PD është e vetmja që ka një media të familjes së kryetarit të partisë në kushte informaliteti dhe jashtë çdo standardi profesional në politikat editoriale, por kjo është toleruar me cinizëm pasi është konstatuar se më shumë i prish punë PD-së sesa e ndihmon.

Pra, në përfundim të leximit të gjithë rekomandimeve, rezulton që PD pranon raportin si shumë të mirë, por nuk pranon rekomandimet e tij. Raporti vlen vetëm për të përmirësuar zgjedhjet e ardhshme dhe me këto rekomandime që jep OSBE/ODIHR, që për mua janë shumë të mira, e vetmja pengesë është vota e opozitës. Bindni Sali Berishën t’i votojë këto rekomandime dhe pastaj festoni.

Ndoshta për të fituar nuk fitoni prapë, por të paktën jeni në rregull me ODIHR. Sa për të qenë në pushtet, nuk është dhe aq shumë e nevojshme, pasi PD po merr poste në pushtet nga jugu në veri, përmes posteve zyrtare, lejeve të ndërtimit, granteve etj., pasi “me Edi Ramën fitojnë të gjithë”. Sidomos Berisha.