Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është i ftuar si njëri ndër dy folësit e sesionit përmbyllës të Berlin Global Dialogue (BGD), forumit ndërkombëtar të nivelit të lartë që mbahet çdo vit në kryeqytetin gjerman.

Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Rama shkruan se do të marrë pjesë në këtë ngjarje prestigjioze, e cila fokusohet në sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.

“Në Berlin Global Dialogue (BGD) – forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë, me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes – ku jam i ftuar si njëri ndër dy folësit e sesionit përmbyllës nesër, së bashku me Presidenten Ursula von der Leyen,” – shkruan Rama.

Forumi i sivjetshëm i BGD mbledh liderë politikë dhe ekonomikë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi mënyrat e bashkëpunimit ndërkombëtar për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për t’u përballur me sfidat e transformimit global.