Pasditen e kësaj të marte, kryesia e Partisë Socialiste zyrtarizoi gjashtë emrat e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, Vlorës, Beratit, Matit, Cërrikut dhe Tepelenës. Pas shpalljes së emrave, kanë nisur të përfliten edhe lëvizjet që do të bëhen në radhët e mazhorancës duke qenë se dy prej kandidateve janë deputete të këtij legjislacioni.
Mes emrave të konfirmuar si kandidatë për kryetarë bashkish është deputetja Ogerta Manastirliut, e cila do të heqë dorë nga mandati i saj në Kuvend për të garuar për Bashkinë e Tiranës. Si rezultat i zgjedhjeve të 11 majit vendin e Manastirliut në Parlament do ta zërë Blerina Gjylameti, një emër i njohur kjo në radhët e socialistëve dhe me një përvojë të gjatë në Parlamentin e Shqipërisë.
Në zgjedhjet parlamentare ajo arriti të grumbullonte 6167 vota dhe rikthimi i saj në Kuvend vjen në kuadër të zbatimit të kuotave gjinore dhe ruajtjes së balancës përfaqësuese në Kuvend.
Gjylameti ishte dhe kandidatja e cila luftoi “kokë më kokë” me kolegen e saj Olta Xhaçkën. Madje ajo iu drejtua KQZ-së edhe me një shkresë ku kërkonte vënien në dispozicion të pamjeve filmike të numërimit të votave të të gjitha qendrave në kryeqytet.